Vrasja e Eglant Koçit, dalin detaje tronditëse nga hetimet
Dyshohet për plagë me armë zjarri në kokë
Zhvillime të reja kanë dalë në dritë nga hetimet për vdekjen e Eglant Koçit, trupi i pajetë i të cilit u gjet në një zonë të thepisur të fshatit Cërrujë, pas rreth dy javësh kërkime intensive.
Sipas informacioneve paraprake nga këqyrja fillestare, në pjesën e pasme të kokës së viktimës është konstatuar një plagë tejshpuese, e cila ngre dyshime të forta se mund të jetë shkaktuar nga përdorimi i një arme zjarri. Megjithatë, për shkak të gjendjes së avancuar të dekompozimit të trupit, ekspertiza mjeko-ligjore pritet të jetë vendimtare për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes dhe mënyrën si ka ndodhur ngjarja.
Pas gjetjes, trupi u transportua në morg për ekzaminime të detajuara, ndërsa identifikimi u realizua nga familjarët. Lokalizimi i viktimës u bë i mundur falë operacioneve të kërkimit në terren, ku u përdorën edhe dronë për të përshkruar zonat e vështira.
Eglant Koçi ishte raportuar i zhdukur rreth dy javë më parë, pasi familja kishte bërë kallëzim në polici dhe kishte kërkuar ndihmë për gjetjen e tij. Që prej asaj kohe, autoritetet kishin nisur hetimet dhe kërkimet në disa zona të dyshuara.
Aktualisht, grupi hetimor po analizon lëvizjet dhe kontaktet e fundit të viktimës, duke u fokusuar kryesisht te rrethi i tij shoqëror. Në kuadër të hetimeve, është shpallur në kërkim Armand Shakaj, i cili konsiderohet nga hetuesit si person i afërt me viktimën dhe potencialisht i përfshirë në ngjarje.
Autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave, motivit dhe identifikimin e autorëve, ndërsa pritet që rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore të hedhin më shumë dritë mbi këtë ngjarje të rëndë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



