E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Artan Hoxha zbulon shqiptarin që kontrollon rrjetin e kokainës
Lajme

Artan Hoxha zbulon shqiptarin që kontrollon rrjetin e kokainës

“Ka laborator kokaine në Kolumbi, është më i rëndësishëm se Dritan Gjika në hierarkinë e trafikut të drogës”

Dy operacionet e fundit të SPAK kundër trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave kanë rikthyer në vëmendje mënyrën se si organizatat kriminale shqiptare kanë operuar për vite me radhë në tregun global të kokainës.

I ftuar në emisionin “Live në Mëngjes”, gazetari Artan Hoxha theksoi se fokusi nuk duhet të mbetet vetëm te aktiviteti i grupeve kriminale jashtë vendit, por sidomos te ndikimi që ato kanë brenda territorit shqiptar.

“Shqetësimi ynë kryesor janë organizatat kriminale që veprojnë në Shqipëri. Ky është halli jonë. Janë organizatat që shesin lëndë narkotike te dyert e shkollave 9-vjeçare. Nëse grupet arrijnë të krijojnë varësi te fëmijët, ka siguruar tregun për 3-4 dekada, sepse ata janë përdoruesit. SHBA është tregu më i madh sot në botë i përdoruesve. Beteja nuk fitohet vetëm duke goditur narkotrafikantët”, deklaroi Hoxha.

Ai u ndal edhe te konteksti i operacioneve të fundit, duke theksuar se bëhet fjalë për hetime të hapura prej vitesh, ndërsa Shqipëria synon të tregojë progres konkret në luftën kundër krimit të organizuar, në kuadër të procesit të integrimit europian.

“Kohët e fundit Shqipëria po bën një lëvizje të madhe për të përfituar sa më shpejt nga anëtarësimi në BE. Një nga kriteret që ne jemi më mirë është kjo pjesë, ne po nxitojmë të godasim grupet që shesin narkotikë në vendet e BE-së. BE-ja është tregu më i pasur. Çdo organizatë kriminale do që të shesë në Bashkimin Evropian”, tha ai.

Sipas Hoxhës, një pjesë kyçe e provave është siguruar përmes komunikimeve të zbuluara nga platforma Sky ECC, të cilat kanë ndihmuar autoritetet në identifikimin dhe lidhjen e personave të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Duke komentuar emrat e përmendur në dosjet hetimore, ai kundërshtoi perceptimin publik për rolin e disa individëve.

“Kryesisht këto hetime mbështeten te të dhënat e SKY. Ti përmende disa emra, ishte ai Aliu. Të gjithë ata që e njohin narkotrafikun kanë qeshur, sepse s’është ai kreu. S’mund të jetë Aliu para Dritan Gjikës që ka financuar 5 mln dollarë presidentin e Ekuadorit në zgjedhje. Ai ka 16 vjet që është i vendosur në Ekuador. Aty është Eldi Dizdari, nga doli Aliu?”, u shpreh ai.

Një tjetër element i rëndësishëm që ai ngriti lidhet me një detaj ende të pazbardhur në hetimet ndërkombëtare.

“Te hetimi i parë, aty përmendet gjatë gjithë kohës nga prokuroria belge, është një kod pin shumë interesant. Ende nuk është zbuluar se kush është ai. Është një shqiptar shumë më i rëndësishëm se këta. Pse? Sepse ka laborator kokaine në Kolumbi. Një njeri që ka laborator kokaine në Kolumbi ku ekzistojnë disa nga kartelet më të forta të planetit, e kupton në çfarë niveli ka vajtur?”, deklaroi Hoxha.

Ai sqaroi edhe rolin e vendeve në zinxhirin e trafikut të kokainës, duke theksuar se Ekuadori shërben kryesisht si pikë tranziti.

“Ekuadori në vetvete nuk është vend prodhues. Prodhimi i kokainës bëhet në Kolumbi, Bolivi, Peru. Ekuadori është vend tranziti. I madh ishte Dritan Gjika, por ky tjetri që ka dhe laboratorin dhe prodhon vetë, e imagjinoni në çfarë përmasa ka shkuar?”, tha ai.

Duke komentuar rolin e SPAK, gazetari vlerësoi bashkëpunimin ndërkombëtar, por theksoi se bëhet fjalë për goditje të aktivitetit të viteve të kaluara.

“SPAK në Shqipëri ka bërë vetëm zbardhjen dhe dërgimin e letërporosive. Ky është sukses. Këto janë hetime historike. Por jemi duke goditur deri në 2021. Nga ky vit, cilat janë grupet e reja?”, ngriti ai pyetjen.

Në përfundim, Hoxha theksoi se brenda botës së narkotrafikut ekziston një hierarki e qartë dhe profile të ndryshme kriminale.

“Të gjithë këta që janë goditur në dy aksionet e fundit nuk janë personazhe të ekspozuar ndaj ngjarjeve të rënda. Mes narkotrafikantëve ka një hierarki. Kemi ata që e shohin si biznes dhe kujdesen që mos bëjnë këto krimet e tjera, pastaj kemi trafikantët që përfshihen në krime më të rënda dhe kemi trafikantë të cilët bëjnë pastrime parash dhe janë përfshirë edhe në lidhjet politike. Shqiptarët ende nuk kanë një kartel, kanë aleanca”, përfundoi ai.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.