E mërkurë, 25 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Dosja “Veliaj, jepet sot vendimi për 8 të pandehurit dhe 3 kompani
Lajme

Dosja “Veliaj, jepet sot vendimi për 8 të pandehurit dhe 3 kompani

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pritet të shpallë këtë të mërkurë, në orën 15:30, vendimin për një nga fraksionet e dosjes që lidhet me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Në këtë proces janë marrë të pandehur tetë persona dhe tri subjekte, ndërsa shqyrtimi gjyqësor po zhvillohet me procedurë të shkurtuar.

Vendimi vjen pas përfundimit të shqyrtimit të kundërshtimeve të paraqitura nga të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre. Seanca e fundit për këtë fazë u zhvillua më 10 nëntor, ndërsa tashmë gjykata pritet të japë qëndrimin përfundimtar mbi kërkesat e Prokurorisë së Posaçme.

Në pretencën e paraqitur më 3 qershor, SPAK kërkoi gjithsej 28 vite burg për gjashtë prej të pandehurve, si dhe vendosjen e gjobave për tri shoqëritë e përfshira në proces.

Masa më e rëndë u kërkua për biznesmenin Elman Abule. Prokuroria kërkoi 7 vite burg për të, dënim që për shkak të gjykimit të shkurtuar reduktohet në 4 vite e 8 muaj. Abule, i cili ndodhet në arrest shtëpie, akuzohet për pastrim parash. Sipas hetimeve të SPAK, përmes kompanisë “Rametal” dyshohet se janë kryer transaksione financiare drejt subjekteve të lidhura me Ajola Xoxën, duke përdorur fatura që prokuroria i konsideron fiktive. Ai është i vetmi për të cilin organi i akuzës ka kërkuar që dënimi të vuhet në burg.

Për Ina Goxhajn, ish-drejtoreshë ekzekutive e organizatës jofitimprurëse “BYL-A”, SPAK kërkoi gjithashtu 7 vite burg, që pas reduktimit për shkak të gjykimit të shkurtuar bëhen 4 vite e 8 muaj, por me pezullim të ekzekutimit dhe vënie në shërbim prove. Ajo akuzohet për korrupsion aktiv dhe pastrim parash. Sipas prokurorisë, organizata drejtohej faktikisht nga Ajola Xoxa, ndërsa Goxhaj figuronte në pozicionin drejtues. Hetimet lidhen me fonde publike të përfituara për organizimin e aktiviteteve kulturore.

Edhe për Adela Kondakçiun, financieren e Ajola Xoxës, prokuroria kërkoi 7 vite burg për akuzën e pastrimit të parave. Megjithatë, SPAK kërkoi që ajo të përjashtohej nga vuajtja e dënimit, duke marrë në konsideratë bashkëpunimin e saj me drejtësinë. Sipas akuzës, Kondakçiu dyshohet se ka qenë pjesë e personave që kanë ndihmuar në qarkullimin dhe pastrimin e parave nën kontrollin e Ajola Xoxës.

Në rastin e biznesmenit Fatmir Bektashi, SPAK kërkoi një vit burg, që të shlyhet përmes punës në interes publik. Ai akuzohet për korrupsion aktiv në emër të shoqërisë “Kontakt”. Sipas versionit të prokurorisë, nga kjo kompani Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa kanë përfituar në mënyrë të parregullt, për shkak të funksionit të Veliajt si kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Një vit burg, i reduktuar në tetë muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar, u kërkua edhe për Frosina Bollon, me pezullim të ekzekutimit dhe vënie në shërbim prove. Ajo akuzohet për korrupsion aktiv në emër të organizatës “Frobolous”, e cila, sipas SPAK, renditet mes subjekteve që kanë dhënë përfitime të parregullta për çiftin Veliaj-Xoxa.

Në këtë proces përfshihet edhe Fatjon Baçi, punonjës i burgut të Durrësit, i cili dyshohet se i ka dhënë një telefon Erion Veliajt gjatë transferimit të këtij të fundit nga qelia drejt gjykatës. Për Baçin, prokuroria kërkoi 5 vite burg, që me gjykim të shkurtuar reduktohen në 3 vite e 4 muaj, por kërkoi që dënimi të pezullohet dhe të zëvendësohet me shërbim prove.

Për ish-deputeten socialiste Klotilda Bushka, e akuzuar për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, SPAK kërkoi vendosjen e një gjobe prej 600 mijë lekësh. Ndërsa për Flutura Xhanin, e akuzuar për deklarata të rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore, u kërkua një gjobë prej 40 mijë lekësh.

Gjobat e kërkuara për tri kompanitë

Përveç tetë individëve, SPAK ka kërkuar edhe ndëshkime financiare për tri subjektet e përfshira në këtë dosje:

  • “Rametal” sh.p.k. – 18 milionë lekë gjobë.
  • “Kontakt” sh.p.k. – 800 mijë lekë gjobë.
  • OJF “Frobolus” – 500 mijë lekë gjobë.

Shpallja e vendimit në orën 15:30 do të përcaktojë qëndrimin e GJKKO-së ndaj kërkesave të SPAK për këtë fraksion të dosjes “Veliaj”. Në përfundim të procesit, gjykata do të vendosë nëse do të pranojë kërkesat e prokurorisë apo do të japë një vendimmarrje të ndryshme për të pandehurit dhe subjektet juridike.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.