Dosja e SPAK, Vila F6 në Dhërmi dhe roli i të besuarave të Ballukut
Si u ndryshua kontrata e energjisë dhe u paguan faturat nga të besuarat e ish-zv.kryeministres
Detaje të reja nga hetimet e SPAK hedhin dritë mbi mekanizmin e dyshuar të fshehjes së pronësisë së vilës F6 në Dhërmi, e cila sipas prokurorisë konsiderohet si pronë e padeklaruar e Belinda Ballukut dhe jo e ish-futbollistit Igli Tare.
Sipas organit të akuzës, ndryshimi i të dhënave të kontratës së furnizimit me energji elektrike, si dhe pagesat e faturave për këtë pronë, janë kryer nga Viola Haxhiademi dhe Laureta Omeri, të cilat identifikohen si persona të afërt dhe të besuar të Ballukut. Këto veprime përmenden si elementë kyç që mbështesin dyshimet se vila është përfituar në mënyrë të paligjshme dhe më pas është tentuar të maskohet pronësia e saj.
Në dosjen hetimore theksohet se prona dyshohet të jetë marrë si ryshfet nga Balluku nga kompania “Eurocol”, së cilës i është dhënë një tender në kohën kur ajo drejtonte Albcontrol. Për të fshehur gjurmët, sipas SPAK, janë angazhuar vartës të saj për të kryer procedura administrative, përfshirë transferimin formal të kontratave dhe menaxhimin e pagesave.
Nga verifikimet pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), rezulton se më 02.08.2022 është paraqitur një kërkesë për ndryshimin e të dhënave të kontratës me kod klienti AL000XXXX. Në dokumentin “Formulari i prezantimit të kërkesës ose ankesës” është kërkuar kalimi i kontratës nga emri “Eurocol” tek “Igli Tare”. Në formular, si aplikues figuron “Igli Tare”, me adresë “Dhërmi” dhe numër telefoni “06854XXXX”. Megjithatë, në dokument mungon nënshkrimi i tij.
Verifikimet në sistemin TIMS tregojnë se në datën 02.08.2022, kur është paraqitur kërkesa, Igli Tare nuk ndodhej në territorin e Shqipërisë. Sipas të dhënave të sistemit online të OSHEE, ndryshimi i kontratës është realizuar më 04.08.2022.
Hetimet përfshijnë edhe analizën e një aparati celular “Iphone 11 Pro”, i sekuestruar shtetases Viola Haxhiademi, ku janë zbuluar komunikime mes saj, Laureta Omerit dhe Klevis Jahajt.
Më 18.07.2022, në orën 08:54, Laureta Omeri i shkruan Viola Haxhiademit: “Të lutem, libreza e Iglit a kaloi dot në emër? Edhe nëse jo akoma të ta marr unë pak sot, ty je jam në datat e pagesës”. Në orën 09:50, Haxhiademi përgjigjet: “Mirëmëngjes. E pagu unë me timen, pa merak për këtë radhë”.
Në datën 01.08.2022, në orën 19:12, Laureta Omeri i dërgon Viola Haxhiademit dy fotografi: njëra përmban faqen e parë të kontratës së porosisë nr. 1059 rep., 650 kol., datë 05.12.2018, lidhur mes Igli Tare dhe shoqërisë “Eurocol” sh.p.k., për ndërtimin e vilës dykatëshe tip “Begonia” me nr. F6; ndërsa tjetra është pasaporta e Igli Tares.
Në orën 19:22, Haxhiademi i përgjigjet me “Thanks” dhe në orën 19:24 i përcjell të dyja fotografitë tek Klevis Jahaj, i cili në atë kohë ishte drejtor në OSHEE dhe aktualisht deputet i Partisë Socialiste për qarkun Fier.
Në datën 04.08.2022, në orën 11:39, Klevis Jahaj i shkruan Viola Haxhiademit: “U vu ai # emrit”. Në orën 11:44, ajo i përgjigjet: “Rrofsh, kur të vij nga leja ma jep të rinovuar. Thank you, ose lëre te Juna”. Kjo datë përkon me momentin kur në sistem është regjistruar ndryshimi i emrit të kontratës së energjisë për vilën F6.
Sipas SPAK, nga aktet e administruara rezulton gjithashtu se faturat e energjisë elektrike për këtë vilë janë shlyer nga Laureta Omeri dhe Viola Haxhiademi.
Komunikime të tjera të datës 15.09.2022 tregojnë se Omeri i dërgon Haxhiademit një mesazh: “Mirëmëngjes. Kam një pyetje. D… i ka ardhur faturë për energjinë për mjediset e jashtme? Se kur pagova më dhanë një faturë ekstra nja 45 mijë të reja. Po thanë mund ta apelosh. Jo se do e apeloj, po sa për ta ditur”. Haxhiademi përgjigjet: “Mirëmëngjes. D… në Itali? Ta pyes se nuk e kam idenë”, ndërsa Omeri saktëson: “Në jug”.
Në vijim, Haxhiademi shprehet: “Oooo, s’di gjë, duhet të pyes mamin se ajo i pag”. Omeri i dërgon një faturë të tipit “Faturë sistemuese – Notë Debiti”, të lëshuar në emër të Igli Tare, ku rezulton një konsum prej 3,671 kWh për ambientet e përbashkëta, me vlerë totale 41,849.4 lekë. Ajo shton: “Faturë sistemuese. Po më thanë për mjediset e përbashkëta”.
Në orën 12:57, Haxhiademi reagon: “Ça është kjo moj motër? Çfarë periudhe?”, ndërsa në orën 13:19, Omeri përgjigjet: “Ja kalova tani Klevit, që e takova për gjë tjetër. Ta verifikojë një herë”.
Sipas SPAK, këto komunikime dhe veprime administrative tregojnë për një aktivitet të koordinuar që synon menaxhimin dhe mbulimin e pronësisë reale të vilës F6 në kompleksin “White Rocks” në Dhërmi, duke forcuar dyshimet për një skemë të mirëorganizuar për fshehjen e origjinës së saj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



