E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pandeli Carapuli zyrtarisht nën hetim për pastrim parash
Lajme

Pandeli Carapuli zyrtarisht nën hetim për pastrim parash

Biznesmeni Pandeli Carapuli është vënë zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, nën dyshimet për përfshirje në pastrim parash, në një çështje që po thellon një nga skandalet më të forta të korrupsionit të viteve të fundit. Ai është paraqitur këtë të premte në ambientet e SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij, Ulian Barjami.

Sipas të dhënave paraprake të hetimit, Carapuli konsiderohet një figurë kyçe në një skemë të dyshuar për përfitime të paligjshme, ku përfshihet edhe ish-zyrtarja e lartë Belinda Balluku. Dyshimet lidhen me dhënien e një vile luksoze në zonën e Dhërmiut, e cila sipas hetuesve mund të jetë përdorur si formë shpërblimi për favorizim në procedura publike.

Objekti në fjalë ndodhet në një kompleks turistik në Gjilekë dhe rezulton të jetë zhvilluar nga kompania “Eurocol”. Hetimet sugjerojnë se kjo kompani ka përfituar një tender nga Albcontrol në periudhën kur institucioni drejtohej nga Balluku, duke ngritur dyshime për një shkëmbim të drejtpërdrejtë përfitimesh.

Një element tjetër i rëndësishëm i dosjes lidhet me përfshirjen e ish-futbollistit të Kombëtares, Igli Tare, i cili sipas hetimeve dyshohet se ka shërbyer si mbajtës formal i pronës, me qëllim fshehjen e pronësisë reale të vilës. Po ashtu, në skemë përmendet edhe një ish-vartëse e Ballukut në Albcontrol, e cila dyshohet se ka ndihmuar në realizimin e veprimeve fiktive.

Sipas materialeve hetimore, janë përdorur kontrata të dyshuara si fiktive, përfshirë një kontratë porosie të vitit 2018 dhe më pas një marrëveshje qiraje të nënshkruar në vitin 2022, së bashku me një amendim të vitit 2024. Këto veprime dyshohet se kanë pasur si qëllim maskimin e origjinës së pasurisë dhe shmangien e gjurmimit të saj.

Prokuroria ka bërë gjithashtu me dije se ndaj Ballukut rëndojnë disa akuza, që përfshijnë shkelje të barazisë në tendera, korrupsion pasiv dhe pastrim parash, të gjitha në bashkëpunim. Në kuadër të hetimeve, Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestrimin preventiv të vilës në Dhërmi, e cila dyshohet se është përfituar në mënyrë të parregullt.

Nga analiza e procedurave të ndjekura për tenderin e rikonstruksionit të godinës teknologjike të Albcontrol, hetuesit kanë konstatuar parregullsi të shumta në hartimin e kritereve dhe në përzgjedhjen e fituesit, duke krijuar avantazhe të padrejta për operatorin ekonomik përfitues.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht mekanizmin e kësaj skeme, për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë dhe për të përcaktuar përgjegjësitë penale për secilin prej tyre.

Autoritetet theksojnë se të gjithë personat e përfshirë në këtë çështje konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të formës së prerë nga gjykata.

NJOFTIMI I PLOTE I SPAK

Prokuroria e Posaçme ka vijuar hetimet ndaj shtetases Belinda Balluku, e cila aktualisht është marrë e pandehur për veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”*, në bashkëpunim dhe pas kryerjes së veprimeve të mëtejshme hetimore dyshohet gjithashtu për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim.

Në vijim të hetimeve të zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr. 136/2025, pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, me vendimin nr.412, datë 3.6.2026, ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasurinë e paluajtshme, në pronësinë indirekte të shtetases Belinda Balluku, që ndodhet në resortin turistik “White Rocks”, Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë.

Sipas rezultateve të deritanishme të hetimit, ekzistojnë dyshime se pasuria e sekuestruar lidhet me përfitimin e parregullt, të kërkuar dhe marrë nga shtetasja Belinda Balluku, në këmbim të favorizimit të operatorit ekonomik, përmes një procedure prokurimi publik të zhvilluar nga Albcontrol sh.a. Hetimet kanë evidentuar gjithashtu përdorimin e veprimeve juridike të dyshuara si fiktive, me qëllim fshehjen e origjinës dhe pronësisë reale të pasurisë.

Pasuria e vendosur nën “sekuestro preventive” përbëhet nga një “Vilë individuale dy katëshe tip Begonia me Nr.F6, parcela e rrethuar në dispozicion të vilës është jo më pak se 300 m2. Vila F6, brenda kësaj parcele, ka një sipërfaqe prej 103m2 (kati përdhe 54 m2 dhe kati i parë mbi përdhe 49 m2). Vila F6 ka edhe verandën 34m2. Vendparkimi ndodhet brenda sipërfaqes së parcelës. [Referuar kontratës së porosisë me nr.1059 rep, nr.650 kol, datë 05.12.2018]

Nga kryerja e veprimeve të tjera hetimore, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ndjekja e hetimeve me metoda speciale, grumbullimi i provave dixhitale dhe provave të tjera të administruara deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, rezultojnë të dhëna për fakte penale të reja në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi 1, shkronja “b” e Kodit Penal, në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287, paragrafi 2, të Kodit Penal.

Nga aktet e administruara kanë rezultuar të dhëna për veprime të kundërligjshme të shtetases Belinda Balluku në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt: “Rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve”, me fond limit 88,651,633 (tetëdhjetë e tetë milion e gjashtëqind e pesëdhjetë e një mijë e gjashtëqind e tridhjetë e tre) lekë, si dhe “Shtesë kontrate për ‘Rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve’”, me vlerë 14,161,814 (katërmbëdhjetë milion e njëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e tetëqind e katërmbëdhjetë) lekë pa TVSH.

Në lidhje me procedurën e sipërcituar, rezulton se shtetasja Belinda Balluku, në cilësinë e titullares së autoritetit kontraktor “Albcontrol” sh.a, me detyrën e Drejtoreshës së Përgjithshme të “Albcontrol” sh.a, në bashkëpunim me shtetasin Evis Berberi, me detyrën e Shefit të Sektorit të Prokurimeve, si dhe anëtarët e Njësisë së Prokurimit, shtetasit S.P., E.N. dhe A.M., kanë kryer veprime të kundërligjshme në kundërshtim me ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, si dhe VKM nr. 1, datë 10.1.2007 “Për rregullat e prokurimit publik” (i ndryshuar).

Këto veprime lidhen me fazën e përgatitjes së projektit dhe zhvillimit të procedurës, në përcaktimin e kritereve dhe miratimin e dokumenteve të tenderit, duke paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të procedurës së prokurimit, operatorin ekonomik “Eurocol” sh.p.k.

Favorizimi i shoqërisë fituese ka vazhduar edhe në momentin e lidhjes së kontratës, duke i ofruar parapagim të menjëhershëm në vlerën 50% të kontratës, si dhe gjatë zbatimit të kontratës dhe shtesës së saj.

Nga hetimi rezulton se shtetasja Belinda Balluku, për shkak të funksionit të saj publik si Drejtore e Përgjithshme e Albcontrol sh.a, në këmbim të favorizimit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k. në procedurën e sipërcituar, ka kërkuar dhe marrë përfitim të parregullt, i cili, referuar kontratës së porosisë, është në vlerën 145,000 (njëqind e dyzet e pesë mijë) euro, që konsiston në pasuri të paluajtshme, konkretisht vilën me nr. F6, në resortin turistik “White Rocks”, Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë, me zhvillues shoqërinë “Eurocol” sh.p.k.

Përfitimi i parregullt është kërkuar gjatë kohës së zhvillimit të kësaj procedure prokurimi, ku rezulton se në atë kohë shoqëria “Eurocol” sh.p.k. kishte aplikuar dhe ishte pajisur me Lejen Zhvillimore Komplekse nr. 2385/1 prot., datë 27.3.2015, të miratuar me Vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit nr. 7, datë 7.3.2014, “Për miratimin e lejes zhvillimore komplekse për resortin turistik në fshatin Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë”.

Për të fshehur këtë pasuri si produkt të veprës penale, shtetasja Belinda Balluku ka përdorur shtetasin Igli Tare dhe vartësen e saj në Albcontrol sh.a., shtetasen Joana Bushi.

Kështu, rezulton se shtetasja Belinda Balluku ka kryer veprimin fiktiv të kontratës së porosisë nr. 1059 rep., nr. 650 kol., datë 5.12.2018, të lidhur mes shtetasit Igli Tare dhe pronarit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k., shtetasit Pandeli Carapuli.

Veprimet e kundërligjshme në formën e pastrimit të produkteve të veprës penale kanë vijuar nga shtetasit Belinda Balluku, Igli Tare dhe Joana Bushi, duke kryer veprimin tjetër fiktiv, atë të kontratës së qirasë (kontratë dore), datë 25.5.2022, dhe amendamentin e kësaj kontrate, datë 26.4.2024.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të fakteve, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, si edhe përcaktimin e përgjegjësive përkatëse penale.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Shënim * Shtetasja Belinda Balluku akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258/2 e 25 të Kodit Penal, në procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8(Vlorë-Sarandë);

Shtetasja Belinda Balluku është e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258/2 e 25 të Kodit Penal, në shtatë raste të procedurave të prokurimit të ndërtimit të Unazës së Jashtme të Tiranës;

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.