Pas Starmer, Rama dhe Sanchez drejt të njëjtit fund politik
Dy liderë europianë, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez dhe ai shqiptar Edi Rama, po përballen me një valë presioni politik, mes skandalesh, protestash dhe një rënieje të dukshme të mbështetjes në vendet e tyre. Kështu raporton media italiane TG La7, duke analizuar zhvillimet e fundit në Spanjë dhe Shqipëri.
Sipas TG La7, Sanchez ndodhet në një situatë të vështirë për shkak të skandaleve të korrupsionit që kanë përfshirë Partinë Socialiste spanjolle. Në qendër të vëmendjes janë hetimet dhe vendimet e fundit të drejtësisë, që kanë goditur figura të afërta me kryeministrin.
Një nga rastet më të bujshme është dënimi me mbi 24 vite burg i ish-ministrit të Transportit, José Luis Abalos, i konsideruar më parë si një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Sanchez. Ai u shpall fajtor për përfshirje në korrupsion lidhur me blerjen e maskave gjatë pandemisë së vitit 2020.
Gjykata ka dënuar gjithashtu me 19 vite e 8 muaj burg ish-këshilltarin ministror Koldo Garcia, ndërsa një tjetër i përfshirë, Victor De Aldama, është dënuar me 4 vite e gjysmë burg. Akuzat përfshijnë krim të organizuar, korrupsion, përvetësim fondesh dhe ndikim të paligjshëm.
Në vendimin e saj, drejtësia spanjolle ka theksuar se korrupsioni përbën një rrezik serioz për stabilitetin demokratik dhe minon besimin e qytetarëve tek institucionet.
Qeveria e Sanchez ka reaguar duke u distancuar nga rastet, duke dënuar çdo shkelje të parimeve të transparencës dhe integritetit. Megjithatë, presioni politik mbetet i lartë, ndërsa sondazhet tregojnë rritje të mbështetjes për opozitën.
Ndërkohë, sipas TG La7, edhe Shqipëria po përjeton një klimë të tensionuar politike. Prej javësh, dhjetëra mijëra qytetarë po protestojnë në Tiranë, në atë që është quajtur “Revolucioni i Flamingove”, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protestat, që fillimisht nisën si reagim ndaj çështjeve mjedisore, janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisjes dhe sistemit politik në vend.
Një nga çështjet më të debatueshme mbetet projekti për ndërtimin e resorteve luksoze në zona të mbrojtura natyrore, përfshirë lagunën e Vjosë-Nartës dhe ishullin e Sazanit. Këto iniciativa janë lidhur me investitorë të huaj, përfshirë Ivanka Trump dhe Jared Kushner, duke nxitur reagime të forta nga qytetarët dhe aktivistët.
Sipas raportimit, kritikat nuk drejtohen vetëm ndaj projekteve konkrete, por ndaj një modeli zhvillimi që perceptohet si favorizues ndaj elitave dhe investitorëve të mëdhenj, në dëm të interesit publik dhe mjedisit.
Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka mbrojtur politikën e tij, duke theksuar se investimet e huaja janë thelbësore për zhvillimin ekonomik dhe për ta shndërruar Shqipërinë në një destinacion elitar turistik në Mesdhe.
Megjithatë, sipas TG La7, si në Spanjë ashtu edhe në Shqipëri, liderët përballen me një sfidë të përbashkët: rritjen e pakënaqësisë qytetare dhe një krizë besimi që po vë në pikëpyetje stabilitetin politik dhe legjitimitetin e qeverisjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



