Avokati Kujtim Cakrani: Jam gati të fal pasurinë time për Ilir Metën
Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, ka bërë një deklaratë të fortë publike pas seancës gjyqësore ndaj klientit të tij dhe Monika Kryemadhit, duke e cilësuar kreun e Partisë së Lirisë si “presidentin më të mirë që ka pasur Shqipëria në 35 vitet e fundit”.
Në një dalje për mediat, Cakrani theksoi se Meta është figura më e ndershme në politikën shqiptare, duke argumentuar se gjatë karrierës së tij nuk ka abuzuar me fondet publike, nuk ka dhënë koncesione të dyshimta dhe nuk ka pasur lidhje me krimin e organizuar.
Por deklaratat e avokatit nuk u ndalën vetëm në vlerësime politike. Ai riktheu në vëmendje edhe një qëndrim të mëparshëm, duke u shprehur i gatshëm të japë një pjesë të pasurisë së tij për Metën. Sipas tij, kjo nuk lidhet me individin Ilir Meta, por me figurën e presidentit që, sipas tij, ka përfaqësuar denjësisht vendin dhe ka përballuar përpjekje për eliminim politik.
“Jam nga Suat Beu dhe nuk e kam problem që t’i lija 50 mijë euro nga prona ime”, deklaroi Cakrani, duke shtuar se vjen nga një familje me gjendje të mirë ekonomike.
Ndërkohë, procesi gjyqësor ndaj Metës dhe Kryemadhit vijon, me drejtësinë që pritet të shqyrtojë në detaje akuzat dhe pretendimet e ngritura. Paralelisht me zhvillimet në sallën e gjyqit, mbrojtja e Metës po shoqërohet edhe me deklarata të forta publike, që e portretizojnë ish-presidentin si një figurë të veçantë dhe të pakrahasueshme në historinë e tranzicionit politik shqiptar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



