“Adi Hila i ka shitur videot në faqet pornografike për arsye përfitimi”
Avokati Kujtim Cakrani trondit me deklaratën e fortë: Kompozitori duhet të hetohet në bashkëpunim
Një ditë pasi aktorja Monika Lubonja bëri të ditur se ka depozituar kallëzim ndaj kompozitorit Adrian Hila lidhur me publikimin e videove intime në rrjet, avokati Kujtim Cakrani ka komentuar çështjen dhe pasojat që mund të ketë procedimi penal.
Lubonja njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale se ka bërë kallëzim ndaj Hilës, duke pretenduar cenim të privatësisë dhe fyerje lidhur me publikimin e materialeve intime.
I ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, avokati Kujtim Cakrani tha se, sipas tij, vepra penale për të cilën është bërë kallëzimi nuk parashikon dënim me burg, por gjobë.
Cakrani deklaroi:
“Nuk rrezikon asgjë. Kjo akuzë që ajo ka ndërtuar dhe drejtuar Gjykatës së Dhomës Penale Tiranë, përbën kundravajtje penale. Që do të thotë që mund të dënohet me gjobë. Pra është vetëm dëmtim imazhi, zonja mund t’a kishte ndjekur këtë edhe në çështje civile për të kërkuar një dëmshpërblim moral. Kjo pasi është dëmtuar imazhi i saj. Ai mund të dënohet pas 10 vitesh kur të përfundojë procesi gjyqësor me një gjobë, deri në 3 milionë lekë, por nuk ka faj penal që të rrezikojë burg”.
Cakrani: Videot janë publikuar për përfitim
Avokati ngriti më tej pretendimin se Adrian Hila kishte krijuar që në vitin 2025 një rrjet të tijin, ku sipas tij publikoheshin materiale intime me pagesë.
Duke iu referuar kësaj pjese të pretendimeve, Cakrani tha se Hila e dinte se materialet po regjistroheshin dhe se, sipas tij, ato ishin përpunuar dhe publikuar me qëllim përfitimi.
“E thashë këtë për të kuptuar që të gjithë ne mos të na bëjnë për budallenj. Ai e ka ditur shumë mirë që po regjistrohej, ka bërë prerje të atyre videove për arsye përfitimi. Askush nuk ia ka vjedhur, ai ka të gjithë të drejtën e tij të mbrohet, dhe do bëjë çdo gjë të mbrohet, por ne që jemi brenda këtij sistemi e dimë se si funksionon. Ai duhet të hetohet në bashkëpunim. Ai që ka bërë regjistrimet, prerjet. Kush janë bashkëpunëtorët, duhet ta gjejë Prokuroria.
Problemi qëndron se ai e ka ditur shumë mirë se çfarë ka ndodhur. Kjo është e organizuar dhe është shpërndarë në site të faqeve pornografike, janë shitur me para. I ka shitur për përfitime. Nuk parashikohet asnjë ditë me burg, mbase nuk është ky qëllimi, por problemi është se duhet hetuar se kush kanë qenë personat që e kanë ndihmuar, kush ka patur dijeni”.
Deklaratat e avokatit për mënyrën e regjistrimit, prerjes dhe shpërndarjes së materialeve përbëjnë pretendime të tij në kuadër të diskutimit televiziv dhe nuk përbëjnë në vetvete një konstatim të një organi hetimor apo një vendim gjykate.
Çështja pritet të vlerësohet nga autoritetet kompetente, të cilat do të duhet të përcaktojnë rrethanat e publikimit të materialeve, mënyrën se si janë siguruar ato, personat që mund të kenë pasur akses dhe nëse ka elementë të një vepre penale.
Ndërkohë, kallëzimi i bërë nga Monika Lubonja dhe pretendimet e ngritura publikisht rreth videove intime mbeten në fazën e verifikimit, ndërsa çdo përgjegjësi penale duhet të përcaktohet vetëm përmes procedurave përkatëse ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



