Eurodeputetja gjermane: Do t’i bashkohem protestës në Tiranë!
Eurodeputetja gjermane Jutta Paulus ka dalë hapur në mbështetje të protestave që po zhvillohen prej javësh në Shqipëri, duke i dhënë një dimension ndërkombëtar reagimit qytetar. Tubimet, të cilat kanë hyrë tashmë në ditën e 26-të, vijojnë të mbledhin çdo ditë qytetarë që kërkojnë ndryshim politik dhe institucional.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Paulus theksoi simbolikën e flamingos, e cila është kthyer në një shenjë identifikuese të rezistencës së komuniteteve lokale dhe aktivistëve të mjedisit që kundërshtojnë projektet e zhvillimit në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë.
Ajo konfirmoi gjithashtu angazhimin e saj personal, duke bërë të ditur se do të jetë e pranishme në protestën e planifikuar për javën e ardhshme. “Do t’i bashkohem protestës të hënën e ardhshme”, u shpreh eurodeputetja, duke sinjalizuar mbështetje konkrete ndaj lëvizjes qytetare.

Ndërkohë, protestat në vend kanë hyrë në një fazë më intensive, ku qytetarët vijojnë të dalin çdo ditë në rrugë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime të thella në qeverisje. Lëvizja po merr gjithnjë e më shumë vëmendje, si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



