Nga korriku, vetëm një ndalesë në kufi me Maqedoninë e Veriut
Qytetarët që udhëtojnë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të përfitojnë nga një procedurë e re kufitare që redukton ndalesat në një të vetme. Marrëveshja u firmos nga ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Besfort Lamallari, dhe homologu i tij nga Maqedonia e Veriut, Pançe Toshkovski.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje u zhvillua në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe synon të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin e njerëzve dhe mallrave mes dy vendeve.
Ministri Toshkovski theksoi se modeli “one stop”, i cili aplikohet tashmë nga Maqedonia e Veriut me Kosovën dhe Serbinë, ka dhënë rezultate konkrete në lehtësimin e lëvizjes dhe në përshpejtimin e procedurave kufitare. Sipas tij, zbatimi i këtij sistemi edhe me Shqipërinë do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe komunitetin e biznesit.
Ai vlerësoi bashkëpunimin me autoritetet shqiptare dhe rolin e ministrit Lamallari në finalizimin e kësaj nisme, duke e cilësuar marrëveshjen si një hap të rëndësishëm drejt rritjes së efikasitetit në menaxhimin e kufijve.
Sipas marrëveshjes, kontrolli i përbashkët do të mundësojë jo vetëm reduktimin e kohës së pritjes, por edhe një shkëmbim më të shpejtë të informacionit ndërmjet autoriteteve kufitare të dy vendeve.
Zbatimi i sistemit do të nisë fillimisht në pikën kufitare të Qafë Thanës dhe më pas do të shtrihet edhe në pikën e kalimit kufitar në Bllatë, në Dibër.
Autoritetet theksojnë se kjo nismë pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen e shkëmbimeve ekonomike, turizmit dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve, duke afruar më shumë dy vendet në aspektin praktik të bashkëpunimit rajonal.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



