E diel, 29 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Ervin Demo, i besuari i Kryeministrit?!
Sot

Ervin Demo, i besuari i Kryeministrit?!

Naim Noka

Ndryshimi në krye të Ministrisë së Brendshme nuk është thjesht zëvendësimi i një ministri me një tjetër. Largimi i Besfort Lamallarit dhe emërimi i Ervin Demos tregojnë edhe një herë mënyrën se si Edi Rama ndërton pushtetin: ‘Besfortët’  ngrihen, lëvizin ose ulen në “stolin” e Kryeministrisë sipas besimit që kanë fituar te kryeministri, jo domosdoshmërisht sipas rezultateve që kanë dhënë për qytetarët.

“Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme. Jam munduar të mos ju zhgënjej kurrë, kurrën e kurrës”-i tha ai mbretit.

Lamallari u largua duke deklaruar se ishte përpjekur të mos e zhgënjente kurrë kryeministrin.  Një ministër i Brendshëm nuk betohet për të mos zhgënjyer shefin e qeverisë. Detyrimi i tij është të mos zhgënjejë qytetarët, ligjin dhe institucionin që drejton. Por Lamallari si produkt zyrash edhe pasi u bë ministër, i dukej vetja si zv/ministër.

Tani radha pas Besfortit i vjen Ervin Demos.

Ai paraqitet si një profil ndryshe nga shumë figura të tjera të mazhorancës. Ka një karrierë akademike, ka qenë pedagog dhe zëvendësrektor i Universitetit të Tiranës, zëvendësministër i Arsimit, kryetar i Bashkisë Berat, deputet dhe ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor.

Le ta themi troç, emri i tij nuk është shoqëruar publikisht me akuza të provuara për korrupsion apo lidhje me krimin e organizuar. Sigurisht në Berat nuk ka shpëtuar ‘sëmundjes ‘ së tenderave në Bashki por  është një pikë në favor të tij.  Demaj nuk përbën ende garanci për mënyrën se si do të drejtojë një nga institucionet më të ndjeshme të shtetit. Mos harrojmë protestat dhe do t’i duhet të menaxhojë zgjedhjet  vendore në fillim të vitit që vjen. Nuk do të jetë sfidë e lehtë jo vetëm për ministrin Ervin Demo por as për kryeministrin Rama.

Sepse Ministria e Brendshme nuk është bashki, auditor universitar apo zyrë koordinimi. Ajo administron një sistem ku përplasen pushteti politik, Policia e Shtetit, krimi i organizuar, interesat ekonomike dhe siguria publike.

Nuk mjafton  vetëm nëse Ervin Demo është njeri i besuar i Edi Ramës dhe jo i dikujt tjetër. Këtë e tregon vetë rrugëtimi i tij politik. Nga zëvendësministër, në kryetar bashkie, deputet, ministër Shteti dhe tashmë ministër i Brendshëm. Sigurisht një ngjitje e vazhdueshme, por dihet botërisht; e pamundur pa besimin e plotë të kryeministrit.

Po kujt do t’i shërbejë ky besim?

A do ta përdorë Ervin Demo mbështetjen e kryeministrit për të garantuar zbatimin e ligjit, apo do ta drejtojë ministrinë sipas nevojave politike të pushtetit?  A do të përballet me grupet kriminale, përfshirë ato që kanë ndikim ekonomik dhe politik, nga Durrësi, Fieri, Elbasani dhe Tirana  apo do të vazhdojë administrimin e heshtjes?

Ligji e përcakton Policinë e Shtetit si strukturë të depolitizuar. Realiteti shqiptar ka treguar vazhdimisht se distanca ndërmjet ligjit dhe praktikës mund të jetë tepër e madhe. Pikërisht këtu do të matet ministri i ri.

Ervin Demo nuk duhet gjykuar përpara se të veprojë. Por as nuk duhet pritur me duartrokitje vetëm për shkak të një biografie të rregullt. Në një qeverisje ku besnikëria ndaj kryeministrit është kthyer shpesh në kriterin kryesor të karrierës, mungesa e akuzave nuk mjafton. Duhet pavarësi në vendimmarrje, transparencë dhe rezultat. Noshta Rama ka kalkuluar edhe  zëvëndësime të tjera në shtator por arnimet  e reja  nuk ndryshojnë asgjë më shumë se interesat e grupeve rivale në PS.

Ministria e Brendshme nuk ka nevojë për një tjetër të besuar të Edi Ramës. Ka nevojë për një ministër që i bindet ligjit edhe kur ligji bie ndesh me interesat e pushtetit. Duke i uruar punë të mbarë, do të presim që koha të na thotë nëse Ervin Demo do të jetë ministri i qytetarëve dhe i ligjit, apo thjesht i besuari i radhës i Kryeministrit?

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.