E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Braçe shpërthen ndaj PS: Demokracia e brendshme nuk funksionon
Lajme

Braçe shpërthen ndaj PS: Demokracia e brendshme nuk funksionon

Deputeti kritika të forta edhe për Marjana Koçekun

Teksa vendi ndodhet prej 30 ditësh nën klimën e protestave, deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka rikthyer në vëmendje një debat të fortë brenda vetë forcës politike, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si funksionon demokracia e brendshme në PS.

Në një intervistë televizive, Braçe u shpreh hapur se sistemi i brendshëm demokratik në parti, sipas tij, ka pësuar deformime serioze, duke theksuar se kjo situatë nuk është e shëndetshme as për PS-në dhe as për shoqërinë.

“Unë mendoj se, në tërësinë e saj, si sistem, demokracia e brendshme e PS-së nuk funksionon. Siç kam thënë edhe më parë, proceset demokratike brenda PS-së, si zgjedhja me votën e çdo anëtari apo mundësia që anëtarët të zgjedhin se kush do t’i përfaqësojë dhe do t’i udhëheqë përpara elektoratit, janë zëvendësuar me njoftime, që herë janë në murin e Kryesisë, herë në murin e Grupit Parlamentar e kështu me radhë.

A është e shëndetshme kjo për shoqërinë? Jo, nuk është. Unë mendoj se demokracia e brendshme e një partie, qoftë kur është në pushtet, qoftë kur është në opozitë, është shumë më e shëndetshme sesa këto kufizime”, deklaroi Braçe.

Duke komentuar zhvillimet e fundit dhe kritikat e brendshme në PS, ai ndaloi edhe te figurat e tjera politike. Për Elisa Spiropalin, Braçe shprehu vlerësim, duke theksuar kontributin e saj ndër vite në parti, ndërsa për deputeten Marjana Koçeku mbajti një qëndrim shumë më kritik.

“Zonja Spiropali ka qenë anëtare e Kryesisë, ndërsa pas ndryshimeve të reja nuk është më, por është anëtare e Grupit Parlamentar dhe natyrisht që i takon të flasë për atë që nuk funksionon brenda partisë, pasi ka kontributin e saj.

Kurse zonjusha tjetër, unë mendoj se është e tepërt që t’i japë leksione Partisë Socialiste. Pra, zonjusha tjetër duhet të përmbahet kur flet për PS-në.

E para, sepse nuk e njeh; e dyta, nuk di asgjë për të, nuk ka kontribuar asgjë për PS-në dhe ka marrë një mandat nga lista e mbyllur e partisë. Prandaj duhet të jetë më modeste.

Është një njeri tjetër ajo që kam parë të flasë në Parlament dhe një tjetër ai që po shohim tani. Janë dy njerëz të ndryshëm dhe duhet t’ia kursejë vetes të flasë për PS-në”, tha ai.

Në vijim, Braçe ngriti edhe një problem që, sipas tij, lidhet drejtpërdrejt me mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve dhe sistemin zgjedhor.

“Çfarë ju thashë? Se listat u bënë me garë apo me njoftim? U bënë me njoftim. T’i themi gjërat siç janë. Prandaj unë them se problemi qëndron te demokracia e brendshme e partive. Mund të kemi një sistem elektoral të mirë, por ai çedon te demokracia e brendshme e partisë”, shtoi ligjvënësi socialist.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.