E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
6 vite nga tërmeti tragjik, qeveria ende nuk di t’i japi drejtim rindërtimit
Lajme

6 vite nga tërmeti tragjik, qeveria ende nuk di t’i japi drejtim rindërtimit

Programi ‘famoz’ rikthehet në skenë në kulmin e protestave dhe para zgjedhjeve

Gjashtë vite pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019, drama e mijëra familjeve shqiptare mbetet ende e pazgjidhur. Ndërsa shumë prej tyre vazhdojnë të presin një çati mbi kokë, qeveria vijon të miratojë fonde të reja për Programin e Rindërtimit, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi ritmin dhe transparencën e këtij procesi.

Në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave ka miratuar një tjetër paketë financimesh që përfshin disa bashki të vendit, mes tyre Kurbinin, Lezhën dhe Krujën. Sipas vendimeve, mbi 327 milionë lekë janë akorduar për rikonstruksionin e banesave individuale, ndërsa rreth 300 milionë lekë të tjera do të shkojnë për ndërhyrje në pallate të dëmtuara.

Paralelisht, janë shpërndarë edhe apartamente të reja: 259 njësi banimi i kalojnë Bashkisë së Durrësit, së bashku me ambiente shërbimi, ndërsa Bashkia e Tiranës përfiton 80 apartamente të tjera. Në letër, procesi duket se vijon, por në terren realiteti mbetet krejt ndryshe për shumë qytetarë që ende jetojnë në kushte të përkohshme.

Qeveria ka miratuar gjithashtu 305.5 milionë lekë shtesë për Fondin Shqiptar të Zhvillimit, për projekte që përfshijnë rindërtimin e pallateve, infrastrukturën publike dhe ndërhyrje rehabilituese në zonat e prekura nga tërmeti. Fondet do të shpërndahen në disa bashki, përfshirë Durrësin, Kamzën, Kavajën, Krujën, Kurbinin, Lezhën, Mirditën, Shijakun dhe Vorën.

Madje, parashikohen edhe fonde për hartimin e projekteve për objekte me dëmtime të rënda, të klasifikuara me shkallë DS4 – një tregues i qartë se edhe sot, pas gjashtë vitesh, ka ndërtesa që presin ende ndërhyrje.

Por ajo që e bën këtë situatë edhe më të rëndë është fakti se shumë nga këto projekte nuk kanë nisur ende, ndërsa afatet e premtuara kanë kaluar prej kohësh. Kujtojmë se menjëherë pas tërmetit, kryeministri Edi Rama deklaronte se brenda vitit 2020 të gjitha familjet e mbetura pa shtëpi do të ishin sistemuar.

Sot, në vitin 2026, ky premtim duket larg realitetit. Ndërkohë, miratimi i fondeve të reja në një periudhë të mbushur me protesta dhe vetëm pak muaj para zgjedhjeve vendore, shton dyshimet se rindërtimi po përdoret edhe si instrument politik.

Mes shifrave miliona euro dhe vendimeve në letër, një pyetje mbetet pa përgjigje: pse mijëra familje ende nuk kanë hyrë në shtëpitë e tyre?

 

1111.PNG 222.PNG333.PNG444.PNG 55555.PNG6666.PNG777.PNG88.PNG

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.