Vrasjen e Eglant Koçit, zbardhen prova të reja të lidhura me kriptomonedhat
Hetimet për vrasjen e Eglant Koçit kanë hyrë në një fazë të re, pas analizimit të pajisjeve elektronike të sekuestruara në ambientet e Armand Shakajt. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se nga këqyrja e kompjuterëve janë zbuluar të dhëna të rëndësishme që lidhen me transaksione dhe llogari në kriptomonedha, elemente që po forcojnë dyshimet për një motiv financiar pas krimit.
Sipas të njëjtave burime, ekspertët e laboratorit kriminalistik kanë arritur të rikuperojnë informacione shtesë me vlerë hetimore, të cilat aktualisht po analizohen në detaje. Këto zhvillime mund të ndikojnë drejtpërdrejt në kualifikimin juridik të ngjarjes, duke mos përjashtuar mundësinë që vepra penale të riklasifikohet në një akuzë më të rëndë, në varësi të provave të reja që po dalin në dritë.
Nga të dhënat paraprake të dosjes hetimore rezulton se Armand Shakaj dyshohet të ketë ekzekutuar mikun e tij, Eglant Koçi, dhe më pas të ketë tentuar të fshehë gjurmët e krimit duke hedhur trupin në një zonë të thellë malore në qarkun e Elbasanit. Trupi i pajetë i viktimës u zbulua rreth dy javë më vonë në gjendje të avancuar dekompozimi.
Ekspertiza mjeko-ligjore ka konfirmuar se viktima është qëlluar me armë zjarri në kokë, çka përforcon dyshimet për një ekzekutim të qëllimshëm. Ndërkohë, autori i dyshuar vijon të jetë në arrati, ndërsa autoritetet po ushtrojnë presion përmes kontakteve me familjarët e tij, me synim bindjen për t’u vetëdorëzuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



