Tragjedi në Greqi, 35-vjeçarja shqiptare humb jetën pak orë pas lindjes
Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Greqi, ku një 35-vjeçare ka ndërruar jetë vetëm pak orë pasi solli në jetë fëmijën e saj të dytë. Rasti ka ngritur pikëpyetje të forta, ndërsa familjarët kërkojnë zbardhjen e plotë të rrethanave.
Viosana Mane ishte shtruar në Spitalin e Përgjithshëm të Livadias për të kryer një lindje të planifikuar me prerje cezariane. Sipas të afërmve, shtatzënia kishte ecur normalisht dhe pa asnjë komplikacion gjatë gjithë periudhës.
Ndërhyrja kirurgjikale u realizua me sukses dhe ajo solli në jetë një djalë të shëndetshëm. Por vetëm pak orë më pas, gjendja e saj u përkeqësua në mënyrë të menjëhershme për shkak të një hemorragjie të rëndë pas lindjes.
Mjekët ndërhynë për të ndalur gjakderdhjen dhe për ta stabilizuar, por për shkak të situatës kritike u vendos transferimi urgjent drejt Spitalit “Thriasio” në Athinë, ku u shtrua në terapi intensive.
Pavarësisht përpjekjeve të pandërprera të stafit mjekësor, komplikacionet e shkaktuara nga humbja e madhe e gjakut rezultuan fatale dhe 35-vjeçarja nuk arriti të mbijetojë.
Ngjarja ka shkaktuar reagime dhe dhimbje të thellë, si në opinionin publik grek ashtu edhe në komunitetin ku jetonte familja. E ndjera la pas bashkëshortin, një djalë 8-vjeçar dhe foshnjën e porsalindur.
Pas kësaj tragjedie, familjarët kërkojnë hetim të plotë për të sqaruar nëse çdo procedurë mjekësore është ndjekur sipas protokolleve dhe nëse ndërhyrjet e kryera kanë qenë të duhura në raport me gjendjen e pacientes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



