E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Situatë dramatike, flakët rrezikojnë banesat në Drizë të Fierit
Lajme

Situatë dramatike, flakët rrezikojnë banesat në Drizë të Fierit

Evakuohen 11 familje, dy të shoqëruar në polici

Një situatë alarmante është regjistruar këtë të diel në zonën e Drizës në Fier, ku një zjarr i përmasave të mëdha ka detyruar autoritetet të evakuojnë 11 familje nga banesat e tyre, për shkak të rrezikut të përhapjes së flakëve.

Sipas informacioneve zyrtare nga Policia e Fierit, dy persona janë shoqëruar në Komisariat si të dyshuar për shkaktimin e zjarrit, ndërsa hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Vatra e zjarrit ka nisur fillimisht pranë zonës së njohur si “Azotiku” dhe është përhapur me shpejtësi drejt Qafës së Koshovicës, duke përfshirë sipërfaqe të gjera pyjore dhe duke rrezikuar disa fshatra përreth, mes tyre Peshtan i Madh, Peshtan i Vogël, Drizë Myrtezaj dhe Plyg.

Për shkak të erës së fortë dhe terrenit të vështirë, flakët janë përhapur me intensitet të lartë, duke vënë në rrezik të drejtpërdrejtë banesat dhe banorët. Autoritetet ndërhynë menjëherë duke evakuuar familjet dhe duke vendosur në gatishmëri ekipet e emergjencës mjekësore në zonë.

Ndërkohë, një banesë e përfshirë nga flakët është shpëtuar në kohë, duke pësuar vetëm dëme të lehta materiale. Megjithatë, zjarri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturë, përfshirë edhe stacionin kryesor të furnizimit me ujë të qytetit të Fierit.

Drejtori i Shoqërisë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve Fier, Gentian Alikaj, bëri të ditur se ndërhyrja e parë për neutralizimin e flakëve është kryer nga vetë punonjësit e ujësjellësit, pasi shërbimet zjarrfikëse ishin të angazhuara në mbrojtjen e banesave.

Operacioni për shuarjen e zjarrit përfshin forcat zjarrfikëse, dhjetëra efektivë policie dhe mbështetje nga ajri me helikopterë të Forcave të Armatosura. Në terren janë angazhuar gjithashtu Forcat “Shqiponja”, Policia Rrugore dhe Njësia e Forcës Kombëtare të Sigurisë.

Për të garantuar sigurinë, është bllokuar qarkullimi i automjeteve në segmentin rrugor “Qafa e Koshovicës–Cakran”, ndërsa shërbimet policore po monitorojnë në vijimësi situatën për të parandaluar rrezikun ndaj banesave të tjera.

Fatmirësisht, deri në këto momente nuk raportohet për persona të lënduar apo të asfiksuar, pavarësisht përmasave të mëdha të zjarrit.

Ndërkohë, banorët e zonës shprehen të tronditur nga situata, duke theksuar se një zjarr i tillë nuk është parë më parë në këtë zonë. Ata rrëfejnë momentet e panikut kur flakët iu afruan banesave, ndërsa tymi mbuloi të gjithë zonën.

Autoritetet vijojnë operacionin për shuarjen e plotë të zjarrit, ndërsa situata mbetet kritike për shkak të kushteve atmosferike që favorizojnë përhapjen e flakëve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.