SMS që trondit hetimet: Na njoftuan këta të shtetit, sot pushim
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka intensifikuar goditjet ndaj aktivitetit të paligjshëm të call center-ave mashtrues, të cilët përmes skemave të sofistikuara kanë arritur të mashtrojnë dhe zhvasin një numër të madh qytetarësh nga vendet e Bashkimit Europian dhe më gjerë.
Sipas hetimeve, fondet e përfituara nga këto aktivitete të paligjshme dyshohet se janë pastruar përmes sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, kryesisht në ndërtim dhe turizëm, ndërsa një pjesë e konsiderueshme është investuar edhe në kriptomonedha, me qëllim fshehjen e origjinës së tyre.
Në këtë kuadër, autoritetet shqiptare kanë ndërmarrë hapa konkretë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Më herët, është realizuar ekstradimi drejt Gjermanisë i shtetasit izraelito-kanadez Roy Garine, i konsideruar si një nga figurat kyçe të këtyre skemave mashtruese. Paralelisht, organet e drejtësisë në Shqipëri po verifikojnë në detaje rrjetin e bashkëpunëtorëve të tij që kanë operuar në territorin shqiptar.
Një nga personat në fokus të verifikimeve është Kevin Shytaj, i cili përshkruhet si individi përgjegjës për aspektin administrativ dhe organizimin e punës në strukturat që vepronin në shërbim të Roy Garine në Shqipëri.
Burime bëjnë me dije se hetimet nuk janë kufizuar vetëm tek individët e përfshirë drejtpërdrejt në aktivitetin mashtrues, por po shtrihen edhe tek roli i mundshëm i eksponentëve të Policisë së Shtetit, të cilët dyshohet se mund të kenë ofruar mbrojtje ndaj call center-ave, si edhe tek persona me ndikim në politikë dhe administratë.
Një element kyç që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është një komunikim i zhvilluar mes Kevin Shytajt dhe një personi tjetër të identifikuar si Henri Pasha, i cili rezulton të ketë kryer punë në shërbim të këtij grupi.
Bëhet fjalë për një bisedë të datës 22 dhjetor 2025, në të cilën Shytaj i shkruan Pashës për anulimin e një takimi të planifikuar mes tyre. Mesazhi i dërguar është konkret dhe ngre pikëpyetje serioze:
“Te lutem mos kalo sot se morem pushim na lajmeruan kta te shtetit”.

Ky komunikim ka shtuar dyshimet për një dekonspirim të mundshëm nga brenda strukturave shtetërore, duke qenë se periudha përkon me kohën kur në Tiranë u zhvilluan disa operacione të njëpasnjëshme kundër call center-ave mashtrues.
Operacionet në fjalë janë nxitur dhe koordinuar në bashkëpunim me vendet partnere, përfshirë Italinë, Gjermaninë dhe Austrinë, të cilat prej kohësh kanë kërkuar ndërhyrje konkrete për të ndalur mashtrimet ndaj qytetarëve të tyre përmes platformave të rreme financiare.
Aktualisht, SPAK është duke ndjekur disa pista hetimore njëkohësisht, duke u fokusuar tek gjurma e parave, identifikimi i plotë i rrjetit të bashkëpunëtorëve dhe verifikimi i çdo lidhjeje të mundshme me zyrtarë apo punonjës institucionesh që mund të kenë ndihmuar, mbrojtur apo paralajmëruar aktivitetin e call center-ave mashtrues.
Zbardhja e plotë e këtij rrjeti pritet të nxjerrë në pah përmasat reale të aktivitetit dhe rolin e çdo individi të përfshirë në një nga skemat më të mëdha të mashtrimit financiar që ka prekur Shqipërinë vitet e fundit.



