Sherr për një vend parkimi në Tiranë, 1 i plagosur dhe 3 të arrestuar
Shpallet në kërkim një 17-vjeçar
Një konflikt i nisur për një vend parkimi është përshkallëzuar në dhunë fizike mbrëmjen e kaluar në Tiranë, duke përfunduar me një të plagosur, disa të arrestuar dhe një person të shpallur në kërkim.
Ngjarja ndodhi në hyrje të parkimit të një pallati në rrugën “Frosina Plaku”, ku debati mes disa personave nisi me paralajmërimin “mos e lër makinën këtu” dhe përfundoi në përleshje të dhunshme. Sipas të dhënave zyrtare, në konflikt u përdorën sende të forta, ndërsa një prej të përfshirëve dyshohet se përdori edhe mjet prerës.
Si rezultat i ndërhyrjes së policisë, u arrestuan në flagrancë Luciano Nurçja, 46 vjeç, Albert Lika, 44 vjeç dhe Enea Kurti, 23 vjeç. Ata akuzohen për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Ndërkohë, shtetasi A. I., 33 vjeç, është proceduar në gjendje të lirë, pasi ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, për shkak të dëmtimeve të marra gjatë konfliktit.
Policia ka shpallur në kërkim edhe një të mitur, shtetasin E. L., 17 vjeç, i dyshuar për “Plagosje të rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, si dhe për “Prodhimin, mbajtjen, blerjen apo shitjen pa leje të armëve të ftohta”.
Autoritetet vijojnë punën për kapjen e tij, ndërsa materialet procedurale janë referuar në Prokurori për vijimin e hetimeve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



