SkyECC fundos grupin kriminal, SPAK çon në gjyq 15 të pandehur
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet e procedimit penal nr. 184/3 të vitit 2024 dhe ka depozituar në Gjykatën e Posaçme kërkesën për kalimin në gjykim të 15 personave, të akuzuar për një sërë veprash penale që lidhen me trafikun ndërkombëtar të narkotikëve, organizatat kriminale dhe armëmbajtjen pa leje.
Sipas dosjes hetimore, të pandehurit kanë vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, duke organizuar transportin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të lëndëve narkotike nga Amerika Latine dhe Afrika e Veriut drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Akuzat për Artur Hoxhosmanin
Artur Hoxhosmani akuzohet për:
- trafikim të lëndëve narkotike, të kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe në më shumë se një rast;
- drejtim të grupit të strukturuar kriminal;
- mbajtje pa leje të armëve, municioneve dhe sendeve shpërthyese, lidhur me fishekët dhe armët e sekuestruara në banesë;
- futje ose mbajtje të sendeve të ndaluara në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.
Akuzat për Genti Nderjakun dhe Nazmi Shahinin
Genti Nderjaku (alias Kili, alias Ekil) dhe Nazmi Shahini (alias Drazhi) akuzohen për:
- trafikim të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal;
- drejtim të grupit të strukturuar kriminal.
Episodi i Ekuadorit
Devid Patrut (alias Devid Boraj, alias Elidon Skëndaj, alias Fatmir Pepaj), Ermir Ndreaj dhe Erion Alibej (alias Erion Dylgjeri, alias Andrea Dylgjeri) akuzohen për trafikimin e lëndëve narkotike në episodin e datës 13 dhjetor 2020 në Guayaquil, Ekuador, si edhe për drejtimin e grupit të strukturuar kriminal.
Episodet në Holandë
Klevis Hoxhosmani akuzohet për trafik droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal në episodet e datave 6-7 qershor 2020 dhe 28 tetor 2020 në Roterdam të Holandës, si edhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Ndërkohë, Ramazan Rraja, Plaurent Dervishaj, Amar (alias Dritan) Shkëmbi dhe Amer (alias Ilir) Lloshi akuzohen për trafik droge në episodin e 28 tetorit 2020 në Roterdam, si pjesëmarrës të grupit kriminal.
Rrjeti i shpërndarjes së narkotikëve
Julian Meçaj dhe Bledar Polovina akuzohen për prodhim dhe shitje të narkotikëve gjatë periudhës janar 2020 – mars 2021, në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe me tipologjinë e krimit të vazhdueshëm. Të dy akuzohen edhe për drejtimin e grupit kriminal.
Ndërsa Bashkim Haxhija dhe Endrit Sinani akuzohen për prodhim dhe shitje të narkotikëve gjatë së njëjtës periudhë, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal.
Komunikime në SkyECC
SPAK bën me dije se gjatë hetimeve është provuar se anëtarët e grupit koordinonin aktivitetin kriminal edhe përmes platformës së enkriptuar SkyECC. Komunikimet janë siguruar nga autoritetet franceze në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar për ndihmë juridike.
Sipas organit të akuzës, të pandehurit kanë bashkëpunuar me persona të dënuar jashtë Shqipërisë, individë të proceduar nga autoritetet shqiptare, si edhe me persona ende të paidentifikuar.
Mbi 8.1 ton drogë e trafikuar
Nga hetimet ka rezultuar se grupi ka trafikuar drogë nga Brazili, Ekuadori, Kolumbia, Spanja dhe Maroku drejt Italisë, Belgjikës, Spanjës, Holandës dhe vendeve të tjera evropiane.
Në total, sipas SPAK, bëhet fjalë për 8 126 kilogramë lëndë narkotike, konkretisht:
- 7 261 kilogramë kokainë;
- 590 kilogramë hashash;
- 275 kilogramë kanabis sativa.
Rolet e të pandehurve
Hetimet kanë konkluduar se Artur Hoxhosmani, Genti Nderjaku, Nazmi Shahini, Devid Patrut, Ermir Ndreaj dhe Erion Alibej kanë pasur rolin e drejtuesve dhe financuesve të aktivitetit kriminal.
Ndërsa Klevis Hoxhosmani, Ramazan Rraja, Plaurent Dervishaj, Amar Shkëmbi, Amer Lloshi, Bashkim Haxhija, Julian Meçaj, Bledar Polovina dhe Endrit Sinani kanë vepruar si pjesëmarrës në organizatë.
Pushim hetimesh për tre persona
Prokuroria e Posaçme ka kërkuar gjithashtu pushimin e hetimeve për tre persona nën hetim.
Për Devid Patrutin, në një prej episodeve të hetuara, SPAK ka konstatuar se ai është dënuar më parë nga autoritetet belge për të njëjtat fakte, ndaj është zbatuar parimi “ne bis in idem”, sipas të cilit askush nuk mund të gjykohet dy herë për të njëjtën vepër penale.
Ndërsa për Ilir Lloshin dhe Julian Pjetrin është arritur në përfundimin se fakti penal i atribuar nuk ekziston ose nuk është provuar me prova të mjaftueshme.
Bashkëpunimi ndërkombëtar
Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e drejtësisë të Francës, Spanjës, Belgjikës, Britanisë së Madhe, Holandës, Brazilit, Italisë dhe Ekuadorit, si edhe me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Policinë e Shtetit gjatë fazës së ekzekutimit të masave të sigurisë.
SPAK bën të ditur se hetimet do të vijojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të dyshuar dhe për verifikimin e pasurive që lidhen me aktivitetin kriminal. Për këtë arsye është ndarë një pjesë e akteve, duke u regjistruar procedimi i ri penal nr. 184/3.1 i vitit 2026.
Në përfundim, Prokuroria e Posaçme ka shprehur mirënjohje për autoritetet franceze, spanjolle, belge, britanike, holandeze, braziliane, italiane dhe ekuadoriane, si edhe për Eurojust dhe Europol, për mbështetjen e dhënë gjatë këtij hetimi kompleks ndërkombëtar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



