

Neni 101 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë përcakton qartë se Këshilli i Ministrave mund të nxjerrë akte normative me fuqinë e ligjit vetëm në raste të “nevojës dhe urgjencës”. Ky instrument kushtetues është krijuar për situata të jashtëzakonshme, si fatkeqësi natyrore, kriza të rënda ekonomike apo rrethana ku siguria kombëtare dhe jeta e qytetarëve kërkojnë reagim të menjëhershëm.
Por, sipas Aktit Normativ Nr. 3, datë 6 korrik 2026, situata e cilësuar si “urgjente” nga qeveria këtë herë lidhet me organizimin e një koncerti: atë të reperit amerikan Kanye West.
Përmes këtij akti, qeveria ka vendosur transferimin e 400 milionë lekëve nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, rreth 4 milionë euro, për të financuar pjesërisht organizimin e koncertit që pritet të mbahet më 11 korrik. Vendimi ka ngritur pikëpyetje mbi përdorimin e një mekanizmi ligjor të jashtëzakonshëm për një aktivitet kulturor të planifikuar dhe jo për një situatë emergjente.
Një koncert i një artisti ndërkombëtar, pavarësisht famës dhe rëndësisë së tij kulturore, është një aktivitet i planifikuar paraprakisht dhe pjesë e një organizimi ekonomik e kulturor. Ai nuk lidhet me një krizë të papritur, një kërcënim publik apo një situatë që kërkon ndërhyrje të menjëhershme përtej procedurave normale ligjore.
Përdorimi i Nenit 101 për një aktivitet të tillë ngre diskutimin nëse kufijtë e “nevojës dhe urgjencës” po interpretohen përtej qëllimit për të cilin janë parashikuar në Kushtetutë.
Në thelb, kritika lidhet me faktin se një instrument i krijuar për situata të jashtëzakonshme po përdoret për financimin e një eventi të planifikuar, i cili mund të trajtohej përmes procedurave të zakonshme buxhetore.
Fondi rezervë i buxhetit të shtetit ka si qëllim përballimin e shpenzimeve të paparashikuara dhe situatave që kërkojnë ndërhyrje të shpejtë, si fatkeqësi natyrore, emergjenca shëndetësore apo kriza sociale.
Vendosja e një shume prej 400 milionë lekësh nga ky fond për një aktivitet artistik ka sjellë debate mbi mënyrën se si qeveria përcakton prioritetet në përdorimin e parave publike.
Kritikët e vendimit argumentojnë se një fond i destinuar për raste të paparashikuara nuk duhet të shërbejë për financimin e projekteve që janë të planifikueshme dhe që mund të përfshihen në procedurat normale të buxhetimit.
Edhe pse ligji nr.10 352, datë 18.11.2010 “Për artin dhe kulturën” i ndryshuar, edhe ligji Nr. 93/2015 “Për turizmin” kërkon që mbështetja financiare për aktivitete ose projekte të fushave respektive ku futen edhe koncertet, të bëhet sipas procedurave standarde të shtrira në kohë, në bazë të shprehjes paraprake të interesit të palëve dhe ndjekjes së etapave përkatëse të vlerësimit për
arritjen në vendimmarrjen e financimit , qeveria ka vendosur të veprojë ndryshe .
Në rastin konkret meqë organizatorët e koncertit të shpallur që në 29 prill nga Kryeministri nuk kanë denjuar të aplikojnë apo për më keq nuk janë paraqitur më parë pranë MTKS për të përfituar sipas akteve ligjore të sipërpërmendura, qeveria ka bërë sërisht atë që di të bëj më mirë; ka qepur një ligj me porosi pa asnjë vlerësim për përfitimet, pa proçedurë edhe Ministri i Financave ka prekur Fondin e Emergjencës ose të quajtur ndryshe Fondin Rezervë ….. .
E pra , një aktivitet privat , i cili nuk mund të merrte mbështetje buxhetore sepse organizatorët nuk kanë ndjekur proçedurat ligjore , në qeverinë që po na çon drejt Bashkimit Europian mund të shpallet “emergjencë” sepse ka efekt të theksuar turistik .
Ndërkohë relacioni nuk ka asnjë matje të interesit publik përfitimeve ekonomike, turistike dhe promovuese të aktivitetit. Mjaftohet me shprehjen pa asnjë kuptim ekonomik e financiar : “efekt i theksuar turistik”.

Vendimi për financimin e koncertit të Kanye West ka hapur një debat më të gjerë mbi raportin mes pushtetit ekzekutiv, ligjit dhe përdorimit të fondeve publike.
Kur një aktivitet argëtues trajtohet përmes një akti normativ me fuqinë e ligjit, lind pyetja nëse po zgjerohet në mënyrë të tepruar koncepti i urgjencës dhe nëse instrumentet e jashtëzakonshme po përdoren për qëllime që nuk lidhen me funksionin e tyre fillestar.
Në këtë përplasje mes spektaklit dhe standardeve kushtetuese, debati nuk është vetëm për një koncert, por për mënyrën se si interpretohen dhe përdoren mekanizmat më të rëndësishëm të shtetit.


Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
DenoncoBëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.