E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Braçe shpërthen ndaj koncertit të Kanye West: S’ka impakt!
Lajme

Braçe shpërthen ndaj koncertit të Kanye West: S’ka impakt!

Deputeti socialist kundërshtoi aktin normativ në Komisionin e Ekonomisë, duke kërkuar transparencë për financimin e koncertit dhe duke propozuar mbështetje për projekte që promovojnë kulturën shqiptare.

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka shprehur rezerva të forta ndaj vendimit të qeverisë për financimin me 4.3 milionë euro nga buxheti i shtetit të koncertit të reperit amerikan Kanye West.

Gjatë mbledhjes së Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Braçe deklaroi se ishte kundër aktit normativ, duke argumentuar se përgjegjësia për një vendim të tillë duhet të mbetet ekskluzivisht e qeverisë dhe jo të ndahet me Kuvendin.

Sipas tij, mënyra se si është paraqitur akti e zhvendos padrejtësisht përgjegjësinë edhe te deputetët.

“Kjo më lë hije të keqe. Qeveria nuk mban përgjegjësi vetë, siç e parashikon ligji, por e shpërndan përgjegjësinë duke bërë pjesë edhe Kuvendin. Këtu parlamenti ftohet të mbajë përgjegjësi për një akt të qeverisë, ndërkohë që ligji e ngarkon qeverinë ta mbajë vetë. Kjo është e padrejtë, ndaj jam kundër këtij akti”, u shpreh Braçe.

Deputeti socialist tha se nuk ndalet vetëm te aspekti kulturor i koncertit, por kërkoi transparencë edhe për përfitimet ekonomike që, sipas qeverisë, pritet të sjellë organizimi i tij.

“E vë në diskutim aspektin kulturor të këtij koncerti, por aspektin ekonomik patjetër që e shoh. Dua transparencë për ta gjykuar impaktin ekonomik. Ju dhatë disa shifra, më duken të mëdha, por dua prova për shifrat që jepni. Mbetem në mirëbesim të numrave që ju do të jepni”, iu drejtua ai ministrit të Turizmit, Blendi Gonxhja.

Braçe solli në vëmendje edhe raste të tjera të aktiviteteve të financuara me para publike, për të cilat, sipas tij, ka munguar transparenca.

“Për tetë muaj janë financuar dy aktivitete. Është financuar ai aktiviteti për atë sportin e çuditshëm, padeli. Për të nuk ka folur njeri, as nuk ka transparencë”, deklaroi ai.

Në fund të fjalës së tij, deputeti socialist propozoi që fondet publike të orientohen më shumë drejt projekteve që promovojnë identitetin kulturor shqiptar, duke përmendur si shembull Iso-Polifoninë shqiptare dhe filmin më të fundit të regjisorit Christopher Nolan, ku ajo është përfshirë.

“Do doja ta financonit atë aktivitet për Iso-Polifoninë. Edhe filmin nuk do të ishte keq ta financonim, sepse është autokton, na përfaqëson dhe është krejt ndryshe nga ajo që përfaqëson ai këngëtari. Po ta kishim financuar atë regjisorin, do t’i kisha ngritur duart, edhe pse do të kisha shkelur ligjin”, u shpreh Braçe.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.