Protesta kundër qeverisë hyn në ditën e 40-të
Protesta kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama ka hyrë në ditën e saj të 40-të, ndërsa dhjetëra qytetarë janë mbledhur sërish para godinës së Kryeministrisë për të kërkuar ndryshime politike dhe institucionale.
Gjatë tubimit, protestuesit kanë rikonfirmuar se kërkesat e tyre mbeten të pandryshuara dhe, sipas organizatorëve, të panegociueshme. Përfaqësues të protestës lexuan edhe një herë platformën e hartuar, sipas tyre, mbi propozimet e qytetarëve të mbledhura gjatë javëve të fundit.
Një nga momentet simbolike të protestës ishte vendosja e hallvës përpara Kryeministrisë nga një grup të rinjsh, si një akt simbolik që, sipas tyre, përfaqëson “përcjelljen politike” të kryeministrit Edi Rama.
Në qendër të kërkesave të protestuesve mbetet dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit dhe e të gjithë kabinetit qeveritar. Ata kërkojnë krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor, e cila do të ketë për detyrë realizimin e reformave dhe organizimin e zgjedhjeve.
Protestuesit kërkojnë gjithashtu hartimin e një Kushtetute të re, e cila, sipas tyre, duhet të garantojë barazinë e qytetarëve para ligjit dhe të miratohet me referendum popullor. Platforma përfshin edhe ndryshime në Kodin Zgjedhor, reformimin e ligjit për financimin e partive politike dhe kufizimin e mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë gjithë jetës politike.
Në planin ekonomik dhe mjedisor, protestuesit kërkojnë anulimin e ndryshimeve në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”, shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për “Trashëgiminë Kulturore”, heqjen e “Paketës së Maleve” dhe shfuqizimin e kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”.
Sipas organizatorëve, protesta do të vazhdojë edhe në ditët në vijim deri në plotësimin e kërkesave të paraqitura.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



