Media amerikane: Protestat në Shqipëri po e çojnë Ramën drejt rrëzimit
Protestat që kanë hyrë në ditën e 48-të në Tiranë kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, ku së fundmi edhe Wired i ka kushtuar një analizë të detajuar zhvillimeve në Shqipëri. Në artikull theksohet se lëvizja qytetare ka kaluar nga një reagim lokal mjedisor në një revoltë të gjerë kundër qeverisë.
Sipas medias amerikane, protestat kanë nisur si një reagim për mbrojtjen e zonave të ndjeshme bregdetare, duke u identifikuar fillimisht si “revolucioni i flamingove”. Në fokus ishte kundërshtimi ndaj një projekti të madh turistik me vlerë rreth 1.4 miliardë dollarë në ishullin e Sazanit, i cili ngjalli shqetësime për ndikimin në biodiversitet.
Artikulli nënvizon se situata u përshkallëzua më tej pas publikimit të një tjetër projekti në zonën e Zvërnecit, pranë lagunës Vjosa-Nartë, një nga ekosistemet më të rralla dhe të paprekura në Evropë. Ky zhvillim lidhej me kompaninë Affinity Partners, çka shtoi debatet mbi transparencën dhe mënyrën e menaxhimit të pasurive natyrore.
Përplasjet mes banorëve dhe forcave të sigurisë në zonën e projektit e shndërruan çështjen në një temë kombëtare, duke sjellë reagim të gjerë publik. Protestat u zhvendosën në kryeqytet, ku qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në legjislacionin që, sipas tyre, favorizon investime pa kontroll të mjaftueshëm.
Në analizë përmendet edhe mbështetja simbolike nga këngëtarja me famë botërore Dua Lipa, e cila ka lidhje familjare me Kosovën, duke i dhënë protestave një jehonë më të gjerë ndërkombëtare.
Flamingot, si simbol i zonës së rrezikuar, janë kthyer në ikonë të rezistencës qytetare kundër asaj që protestuesit e konsiderojnë si privatizim të hapësirave publike dhe dëmtim të trashëgimisë natyrore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



