Spaho “shuplakë” Berishës: Pushteti nuk fitohet me broçkulla!
Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike dhe ish-deputeti Edmond Spaho ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, i cili pretendoi se ndaj protestuesve janë përdorur lëndë kimike të ngjashme me ato të luftës.
Në reagimin e tij, Spaho i cilëson këto deklarata si të pabazuara dhe të dëmshme për besueshmërinë e opozitës në sytë e qytetarëve. Sipas tij, pretendime të tilla jo vetëm që tregojnë shkëputje nga realiteti, por përbëjnë edhe një deformim të qëllimshëm të së vërtetës.
Ai thekson se përdorimi i armëve kimike është i ndaluar rreptësisht nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe është e paimagjinueshme që të përdoren në një protestë civile si ajo e zhvilluar në Tiranë.
Spaho shton më tej se retorika e ekzagjeruar dhe deklaratat e pabazuara nuk mund të shërbejnë si rrugë për të ardhur në pushtet, përkundrazi, dëmtojnë imazhin e Partisë Demokratike dhe e mbajnë atë larg mbështetjes së qytetarëve.
“Prandaj PD është bërë e pabesueshme për qytetarët dhe ata nuk e mbështesin. Të thuash që u përdorën kundër protestuesve lëndë kimike si ato që përdoren në luftë do të thotë jo vetëm të kesh humbur sensin e realitetit, por të gënjesh me qëllim. Prodhimi dhe përdorimi i armëve kimike janë të ndaluara me traktate ndërkombëtare, e jo më të përdoren në protesta si ajo në Tiranë.
Dëshira për të ardhur në pushtet është e madhe, por pushteti nuk fitohet me broçkulla. Nëse kjo është rruga që ka zgjedhur PD, atëherë do të mbetet gjatë në opozitë. Jo më kot thuhet: koka bën, koka pëson”, shprehet Spaho.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



