Jet Ski “fluturon” mes pushuesve, gjobitet dhe bllokohet nga policia
Një incident që mund të kishte përfunduar me pasoja serioze për pushuesit është regjistruar në Gjirin e Livadhit, ku një drejtues Jet Ski ka kryer manovra të rrezikshme shumë pranë zonës së sigurisë në det.
Sipas burimeve zyrtare, ndërhyrja e Policisë Kufitare erdhi pas denoncimeve të shumta nga pushuesit, të cilët raportuan për lëvizje të pakontrolluara të një mjeti lundrues që po rrezikonte jetën dhe qetësinë në plazh. Menjëherë në terren zbritën shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare, duke bërë të mundur identifikimin dhe ndalimin e drejtuesit.
Gjatë verifikimeve, u konstatua se Jet Ski drejtohej nga shtetasi me iniciale A. L., banues në Tiranë. Përveç sjelljes së rrezikshme në det, ai rezultoi se nuk dispononte dokumentacionin e detyrueshëm për mjetin lundrues, duke rënduar më tej shkeljen.
Si pasojë, autoritetet vendosën masë administrative prej 10 mijë lekësh të rinj dhe bllokuan mjetin lundrues deri në përmbushjen e detyrimeve ligjore.
Ngjarja mori jehonë edhe në rrjetet sociale, ku pamjet e manovrave të rrezikshme u shpërndanë gjerësisht, duke nxitur reagime të forta nga qytetarët dhe pushuesit që kërkojnë më shumë siguri në zonat bregdetare.
Policia Kufitare ka paralajmëruar se kontrollet do të intensifikohen në të gjithë vijën bregdetare, me qëllim parandalimin e incidenteve dhe garantimin e respektimit të rregullave të lundrimit gjatë sezonit turistik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



