Tirana në kaos rrugor: Mijëra shkelje, procedime e rryshfete për gjobat
Gjatë javës së fundit, Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar kontrollet në arteriet kryesore dhe zonat me qarkullim të dendur, duke evidentuar një numër të lartë shkeljesh që vënë në rrezik sigurinë në rrugë.
Sipas të dhënave zyrtare, janë konstatuar plot 12 505 shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Paralelisht, janë regjistruar 24 raste që përbëjnë vepra penale, ku drejtuesit e mjeteve janë arrestuar ose proceduar penalisht.
Një nga rastet më shqetësuese lidhet me një drejtues automjeti që tentoi të shmangte ndëshkimin duke i ofruar ryshfet një efektivi policie. Ai i dha një kartëmonedhë prej 2 000 lekësh me synimin për të evituar masën administrative, por përfundoi i proceduar penalisht.
Monitorimet në terren kanë nxjerrë në pah një sërë shkeljesh të rrezikshme, ku dominojnë drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit, përdorimi i telefonit gjatë ngasjes, mosvendosja e rripit të sigurimit si dhe shkelje të tjera që rrisin ndjeshëm rrezikun e aksidenteve.
Në kuadër të masave administrative të vendosura gjatë kësaj periudhe:
- 74 drejtues janë ndëshkuar për mospozicionim korrekt në karrexhatë, një shkelje që shpesh krijon situata të rrezikshme dhe bllokime trafiku;
- 12 drejtues janë penalizuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur;
- 31 automjete janë larguar me mjet ngritës për shkak të parkimit të gabuar;
- 1562 masa janë vendosur për përdorim celulari gjatë drejtimit, mosvendosje të rripit të sigurimit dhe mungesë kaskash mbrojtëse për drejtuesit e motomjeteve.
Policia Rrugore vijon të bëjë thirrje për ndërgjegjësim maksimal nga të gjithë përdoruesit e rrugës. Respektimi i rregullave, shmangia e drejtimit nën ndikimin e alkoolit dhe përdorimi i pajisjeve të sigurisë mbeten thelbësore për uljen e aksidenteve dhe garantimin e jetës në rrugë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



