Kontrolle “blic” në Tiranë dhe Fushë-Krujë, 2 të arrestu
Sekuestrohen kokainë, armë e ftohtë dhe një automjet luksoz
Forca e Posaçme Operacionale dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, kanë zhvilluar kontrolle të befasishme në Tiranë, Fushë-Krujë, Bubq dhe Nikël, në kuadër të planit të masave për rritjen e sigurisë publike dhe goditjen e paligjshmërive.
Operacioni u përqendrua në akset kryesore rrugore dhe zonat me risk, me fokus evidentimin e armëmbajtjes pa leje, posedimit të lëndëve narkotike, kapjen e personave në kërkim, si dhe kontrollin e automjeteve luksoze, mjeteve të blinduara dhe atyre me xhama të errësuar apo modifikime të paligjshme.
Gjatë kontrolleve u verifikuan 87 automjete dhe 118 shtetas. Policia hoqi 34 xhama të errësuar në kundërshtim me Kodin Rrugor, ndërsa drejtuesit e mjeteve u ndëshkuan me masa administrative.
Po ashtu, 12 automjete dhe 16 shtetas u shoqëruan në komisariat për verifikime të mëtejshme.
Në përfundim të operacionit, dy persona u arrestuan në flagrancë. Njëri prej tyre u kap me një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë, ndërsa tjetrit iu sekuestrua një armë e ftohtë, konkretisht një shufër metalike.
Një shtetas tjetër u shoqërua pasi kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërsa policia sekuestroi automjetin luksoz që ai përdorte.
Policia e Shtetit njofton se kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë në të gjithë territorin, me tolerancë zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit, me synim forcimin e rendit dhe rritjen e sigurisë publike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



