E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Avionët zjarrfikës, Ministria e Mbrojtjes reagon pas akuzave të PD-së
Lajme

Avionët zjarrfikës, Ministria e Mbrojtjes reagon pas akuzave të PD-së

Çështja gjyqësore e kompanisë në Spanjë, është në shqyrtim

Ministria e Mbrojtjes ka reaguar zyrtarisht ndaj akuzave të Partisë Demokratike dhe raportimeve në media lidhur me procedurën e prokurimit për blerjen e tre avionëve për shuarjen e zjarreve, duke i cilësuar pretendimet si të pabazuara dhe të pavërteta.

Në një deklaratë për publikun, institucioni thekson se e gjithë procedura është zhvilluar në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, duke respektuar parimet themelore të ligjshmërisë, transparencës dhe konkurrencës së ndershme.

Sipas Ministrisë, nuk qëndrojnë pretendimet se kemi të bëjmë me një “tender të mbyllur” apo me shkelje të ligjit. Procedura është zhvilluar si një garë konkurruese për qëllime ushtarake, ku kanë marrë pjesë dy operatorë ekonomikë. Fitues është shpallur subjekti që ka paraqitur ofertën më të ulët, ndërsa operatori tjetër është skualifikuar për mosplotësim të kritereve ligjore, kapaciteteve teknike dhe financiare.

Reagimi sqaron gjithashtu se kompania fituese nuk është nën asnjë ndalim për të kontraktuar me administratat publike. Ajo ka dorëzuar dokumentacionin përkatës që vërteton mungesën e rekordeve penale dhe gëzon të drejtën e plotë për të marrë pjesë në procedura prokurimi.

Në lidhje me pretendimet për një çështje gjyqësore në Spanjë, Ministria nënvizon se ajo ende nuk ka përfunduar dhe është në shqyrtim nga Gjykata e Lartë, çka do të thotë se nuk ka efekt juridik dhe nuk mund të përdoret si bazë për përjashtim nga tenderët publikë.

Sipas deklaratës, kompania në fjalë ka vijuar aktivitetin normal kontraktues me institucione publike në vende anëtare të NATO-s dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë bashkëpunime me autoritete në Qipro dhe Mal të Zi.

Ministria e Mbrojtjes e konsideron investimin për sigurimin e kapaciteteve ajrore për shuarjen e zjarreve si një projekt strategjik, i cili synon rritjen e sigurisë civile, mbrojtjen e jetës së qytetarëve, pasurisë dhe mjedisit, duke garantuar se çdo hap do të ndiqet në përputhje me ligjin dhe interesin publik.

Reagimi i plotë: 

Në lidhje me deklaratën e bërë së fundmi nga Partia Demokratike si dhe qarkullimin në disa portale mbi procedurën e prokurimit për blerjen e tre avionëve për shuarjen e zjarreve, Ministria e Mbrojtjes sqaron opinionin publik se çdo procedurë prokurimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë zhvillohet në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar në fuqi, mbi bazën e parimeve të ligjshmërisë, transparencës, konkurrencës dhe trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë.

Ministria e Mbrojtjes hedh poshtë pretendimet se bëhet fjalë për një “tender të mbyllur” apo për një procedurë të zhvilluar në kundërshtim me ligjin.

Procedura është zhvilluar si procedurë konkurruese për qëllime ushtarake, në përputhje me legjislacionin shqiptar për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Në garë morën pjesë dy operatorë ekonomikë. Operatori fitues paraqiti ofertën me çmimin më të ulët, ndërsa operatori tjetër u skualifikua pasi nuk plotësonte kriteret ligjore të kualifikimit, kapacitetit ekonomik dhe teknik.

Po aq i pavërtetë është edhe pretendimi se kompania fituese ndodhet nën ndalim për të kontraktuar me administratat publike.

AVIATION TRADE EUROPE, S.L.  ka paraqitur certifikatën e regjistrit penal që vërteton mungesën e çdo rekordi penal dhe ruan të drejtën e plotë për të marrë pjesë në procedura publike prokurimi.

Pretendimet e referuara në media lidhen me një çështje tjetër gjyqësore në Spanjë, ku vendimi nuk ka marrë ende formë të prerë dhe është në shqyrtim nga Gjykata e Lartë. Për rrjedhojë, ai nuk prodhon efekte juridike dhe nuk përbën bazë ligjore për përjashtimin e asnjë operatori ekonomik nga procedurat e prokurimit.

Kompania ka vijuar të kontraktojë normalisht me administrata publike të vendeve anëtare të NATO-s dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë vitet e fundit Ministrinë e Mbrojtjes së Qipros dhe Ministrinë e Brendshme të Malit të Zi.

Investimi për sigurimin e kapaciteteve ajrore për shuarjen e zjarreve është një projekt me rëndësi strategjike për rritjen e sigurisë civile, mbrojtjen e jetës së qytetarëve, të pasurisë dhe të mjedisit. Për këtë arsye, Ministria e Mbrojtjes mbetet e angazhuar që çdo procedurë të zhvillohet me përgjegjësi të plotë, në respekt të ligjit dhe të interesit publik.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.