E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Varsja e Joan Zukos në Korçë, arrestohet Kristjan Sterjo
Flash

Varsja e Joan Zukos në Korçë, arrestohet Kristjan Sterjo

Është arrestuar nga Policia Kristjan Sterjo, i dyshuar si autor i vrasjes me armë zjarri të 20-vjeçarit Joan Zuko, ngjarje e rëndë e ndodhur pasditen e sotme në Korçë.

Pas disa orësh kërkime, shërbimet e Policisë kanë arritur të lokalizojnë dhe kapin Sterjon në afërsi të banesës së tij. Menjëherë pas kapjes, ai është shoqëruar në Komisariat, ku pritet të kryhen veprimet e mëtejshme procedurale.

Sterjo ishte shpallur në kërkim pas vrasjes së 20-vjeçarit në lagjen nr. 15, në rrugën “Viktor Eftimiu” në Korçë.

Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:30, pas një konflikti mes disa personave, i cili dyshohet se është përshkallëzuar deri në përdorimin e armës së zjarrit.

Joan Zuko mësohet se ka tentuar të largohet me vrap pas konfliktit dhe është futur në një pallat. Sterjo dyshohet se e ka ndjekur brenda godinës dhe e ka qëlluar me armë zjarri nga pas, në momentin kur 20-vjeçari po ngjiste shkallët në drejtim të katit të tretë.

Sipas informacioneve paraprake, Zuko është goditur nga një plumb në pjesën e poshtme të shpatullës, i cili i ka përshkuar trupin. Në dorën e viktimës është gjetur edhe një thikë, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar nga hetimet nëse dhe në çfarë rrethanash ajo është përdorur gjatë konfliktit.

Viktima dhe i dyshuari mësohet se njiheshin prej vitesh dhe ishin rritur së bashku. Sipas burimeve, Sterjo ka precedentë të mëparshëm penalë për armëmbajtje pa leje dhe plagosje.

Pas vrasjes, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, duke vënë në lëvizje forcat e Policisë. Dëshmitarë kanë deklaruar se e kishin parë duke lëvizur në drejtim të varrezave të qytetit.

Policia ka vijuar kërkimet për disa orë, duke ngritur postblloqe dhe duke kontrolluar disa zona, deri në momentin kur Sterjo është lokalizuar dhe kapur pranë banesës së tij.

Ndërkohë, tre persona të tjerë janë shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale, pasi dyshohet se mund të kenë qenë të përfshirë në konfliktin që parapriu vrasjen.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë dhe grupi hetimor, ndërsa janë sekuestruar dhe po analizohen edhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi krimi dhe përgjatë itinerarit që dyshohet se ka ndjekur autori pas vrasjes.

Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes, për të përcaktuar motivin e konfliktit dhe rolin e personave të tjerë të përfshirë.

Pritet që Policia të japë informacion zyrtar lidhur me arrestimin e Kristjan Sterjos dhe veprimet procedurale të ndërmarra ndaj tij.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.