Pasaportat shqiptare, presidenti Begaj i hap telashe FSHF-së
Tefik Osmani kërkon sqarime për vonesat në pajisjen me shtetësi të lojtarëve të rinj
Pajisja me pasaportë shqiptare për talentet e reja që synojnë të përfaqësojnë Kombëtaren duket se po has në pengesa, duke sjellë një përplasje në distancë mes Federata Shqiptare e Futbollit dhe institucionit të Presidencës.
Debati është bërë publik përmes një reagimi në rrjetet sociale nga Tefik Osmani, i cili mban rolin e përgjegjësit të skautizmit në FSHF. Ai i është drejtuar drejtpërdrejt presidentit të Republikës, Bajram Begaj, duke ngritur shqetësime mbi mënyrën e trajtimit të kërkesave për shtetësi.
Sipas Osmanit, procedurat për pajisjen me pasaportë shqiptare po ecin më shpejt për lojtarët nga Kosova, duke marrë si shembull rastin e Albion Rrahmani, ndërsa aplikimet për talentet që synojnë të veshin fanellën kuqezi mbeten në pritje.
Në reagimin e tij publik, Osmani kërkon transparencë dhe trajtim të barabartë për të gjithë lojtarët, duke theksuar se vonesat rrezikojnë të dëmtojnë të ardhmen e futbollit shqiptar dhe të humbasin talente të rëndësishme për ekipet kombëtare.
POSTIMI I TEFIK OSMANIT
Zoti President i Republikës,
Po ju drejtohem publikisht, jo për një favor, por për një përgjigje që lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e futbollit shqiptar.
FSHF-ja ka dorëzuar dokumentacionin për rreth 10 djem dhe vajza me potencial të madh, të cilët mund të përfaqësojnë Shqipërinë në ekipet kombëtare të moshave. Përgjigjja që marrim është se ka ndryshuar ligji dhe duhet të presim VKM-në.
Dua të jem shumë i qartë: ne si FSHF jemi plotësisht pro që lojtarët me origjinë nga Kosova të pajisen me pasaportë shqiptare. Madje kemi punuar dhe kemi bërë marrëveshje me Italinë pikërisht që lojtarët shqiptarë të mos konsiderohen ekstrakomunitarë.
Por pikërisht për këtë arsye, lind një pyetje e fortë:
Si është e mundur që procedurat për një lojtar të Përfaqësueses së Kosovës, si Albion Rrahmani, mund të ecin dhe të përfundojnë, ndërkohë që dokumentacioni i lojtarëve dhe lojtareve që FSHF-ja po përpiqet t’i afrojë me Kombëtaret e Shqipërisë qëndron gjithmonë në pritje?
Nuk kemi asgjë kundër Rrahmanit apo lojtarëve të Kosovës. Përkundrazi, kjo është një çështje që ne e mbështesim. Por kërkojmë që i njëjti seriozitet, e njëjta shpejtësi dhe e njëjta vëmendje t’u kushtohet edhe talenteve që mund të veshin fanellën kuqezi.
Sepse këtu nuk po flasim për dokumente që mund të presin pafundësisht. Po flasim për fëmijë dhe të rinj që kanë një moshë, një cikël kombëtareje dhe një moment të caktuar në zhvillimin e tyre.
Nëse shteti mund të gjejë një zgjidhje kur bëhet fjalë për një lojtar që përfaqëson Kosovën, pse nuk mund të gjendet një zgjidhje me të njëjtën urgjencë për lojtarët që presin të përfaqësojnë Shqipërinë?
Sepse në fund, rrezikojmë diçka shumë më të madhe se një dosje të vonuar: rrezikojmë të humbasim talente që Shqipëria i ka gjetur, i ka ndjekur dhe i dëshiron.
Dhe do të ishte paradoksale që talentin ta humbnim jo në fushën e futbollit, por në pritje të një procedure administrative.
Me respekt
Tefik Osmani
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




