E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rihapet dosja e vrasjes së Kozeta Hysenit
Lajme

Rihapet dosja e vrasjes së Kozeta Hysenit

Prokuroria e Tiranës kërkon të rimerren në pyetje 28 persona

Prokuroria e Tiranës ka rihapur hetimet për një prej krimeve më të rënda të ndodhura në Tiranë, vrasjen e Kozeta Hysenit, e cila u masakrua më 19 shkurt 1999 në ambientet e Qytetit Studenti.

Pas më shumë se dy dekadash, organi i akuzës ka kërkuar rikthimin e dosjes në një fazë të re hetimore, duke u kërkuar strukturave të policisë në disa zona që të marrin në pyetje 28 persona që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes.

Në listën e personave që duhet të pyeten sërish janë edhe disa emra të përfshirë më herët në hetime. Bëhet fjalë për dy ish-oficerë policie që kanë marrë pjesë në hetimin e vrasjes në vitin 1999, familjarë të Agim Karafilit, i cili më pas u vra, si dhe Dritan Gjikën.

Hetimet e reja parashikojnë gjithashtu rimarrjen në pyetje të Indrit Dules dhe personave të afërt me të. Në dëshminë e dhënë gjatë hetimeve të para, Dule kishte deklaruar se natën kur ndodhi krimi ndodhej për vizitë te e fejuara.

Në kuadër të rihapjes së çështjes do të merren sërish në pyetje edhe tre vajzat që ndanin dhomën me Kozeta Hysenin në Qytetin Studenti. Prokuroria ka kërkuar që të rimerren dëshmitë e Mirela Metajt, Valbona Kasajt dhe Kozeta Bushit.

Kozeta Hyseni ishte vajza e një prokurori në Vlorë dhe vrasja e saj tronditi opinionin publik në atë kohë. Pavarësisht viteve të hetimeve dhe kalimit të dosjes nga një strukturë te tjetra, për këtë krim nuk ka pasur asnjë person të dërguar para gjykatës me akuzën për vrasjen e saj.

Dosja ka kaluar ndër vite nga policia te prokuroria dhe anasjelltas, pa arritur deri tani në zbardhjen e plotë të autorit dhe rrethanave të krimit.

Tashmë, më shumë se 27 vite pas ngjarjes, Prokuroria e Tiranës ka vendosur të rikthehet te dëshmitë dhe personat që mund të hedhin dritë mbi atë që ndodhi në Qytetin Studenti natën e 19 shkurtit 1999.

Rimarrja në pyetje e 28 personave shihet si një përpjekje për të rishikuar provat dhe dëshmitë e mbledhura ndër vite dhe për të verifikuar nëse ato mund të çojnë në një pistë të re për zbardhjen e një prej vrasjeve më misterioze të asaj periudhe.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.