Italia i heq sinjalin Tring-ut, bllokohet transmetimi i serisë A në Shqipëri
Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga starti i sezonit të ri të Serie A, tifozët shqiptarë të futbollit italian rrezikojnë të përballen me një surprizë të pakëndshme.
Liga e Serie A ka ndërprerë zyrtarisht sinjalin për Tring, platformën që zotëron të drejtat ekskluzive për transmetimin e kampionatit italian në Shqipëri. Vendimi lidhet me një përplasje mes palëve për transmetimin e sinjalit edhe në territorin italian, në kundërshtim me kushtet e kontratës.
Përmes një njoftimi zyrtar, Lega Serie A bëri të ditur se sinjali do të mbetet i pezulluar deri në momentin kur Tring të garantojë se shërbimi i saj nuk do të jetë më i aksesueshëm nga Italia.
Nëse situata nuk zgjidhet, tifozët shqiptarë mund të mbeten pa mundësinë për të ndjekur një prej kompeticioneve më të ndjekura të futbollit në vend, të paktën deri në rikthimin e sinjalit.
Përplasja mes Ligës Italiane dhe Tring
Lufta e Lega Serie A kundër piraterisë dhe shkeljes së të drejtave territoriale ka hapur tashmë një front të ri me Tring, platformën ligjore që operon në Shqipëri dhe që mban të drejtat e transmetimit të kampionatit italian në vend.
Problemi, sipas palës italiane, qëndron te fakti se sinjali i Tring rezulton i aksesueshëm edhe në Itali. Kjo përbën një shkelje të kushteve të marrëveshjes për të drejtat televizive, të cilat përcaktojnë qartë territorin ku mund të transmetohet përmbajtja.
Pas një sërë komunikimesh dhe letrash kontestuese, situata ka kaluar tashmë në një fazë tjetër, me Ligën që ka vendosur të ndërpresë furnizimin me sinjal.
Tring, e themeluar në vitin 2004 dhe aktualisht nën kontrollin e Vertex Holding, ka një qarkullim vjetor prej rreth 15 milionë eurosh. Platforma ka gjithashtu një marrëveshje komerciale me DigitAlb, konkurrentin historik me të cilin ka bashkuar ofertën sportive.
Në paketën e saj sportive përfshihen kompeticione si Champions League, Serie A, Bundesliga, NBA dhe MotoGP, ndërsa oferta përfshin edhe Premier League, La Liga, Ligue 1, Europa League, Conference League dhe Formula 1. Paketa e plotë kushton rreth 250 euro në vit.
Për të drejtat e transmetimit të Serie A në Shqipëri, Tring paguan rreth 4 milionë euro në vit.
Problemi i sinjalit
Nyja kryesore e konfliktit është shpërndarja e sinjalit jashtë territorit shqiptar.
Tring përdor transmetim satelitor, i cili teknikisht nuk mund të kufizohet vetëm brenda kufijve të Shqipërisë. Ndërkohë, edhe shërbimi përmes internetit rezulton të jetë i aksesueshëm nga Italia, në celularë dhe Smart TV, pa qenë e nevojshme përdorimi i një VPN-je.
Ky fenomen, i njohur si “overspill”, është pikërisht arsyeja që ka sjellë ndërhyrjen e Lega Serie A.
Sipas palës italiane, problemi ishte evidentuar që gjatë sezonit të kaluar dhe kishte çuar në dërgimin e letrave të para të kontestimit ndaj Tring. Megjithatë, pavarësisht konfliktit, platforma mbetet partner zyrtar i Serie A në Shqipëri.
Çështja i është bërë me dije edhe UEFA-s, duke qenë se Tring transmeton në Shqipëri edhe kompeticione europiane, gjithmonë mbi bazën e marrëveshjeve për të drejtat televizive territoriale.
Tashmë, Liga Italiane ka kaluar nga paralajmërimet te veprimi konkret, duke pezulluar sinjalin.
Çfarë thotë Lega Serie A?
Në njoftimin zyrtar, Liga bëri të ditur se nuk do t’i ofrojë më sinjalet e Serie A Enilive dhe Coppa Italia Frecciarossatransmetuesit shqiptar TRING, të paktën derisa ky i fundit të japë garanci të mjaftueshme se do të parandalojë aksesin nga Italia në ndeshjet e kampionatit dhe të Kupës së Italisë.
Lega Serie A thekson gjithashtu se kontrata në fuqi ndalon në mënyrë të qartë çdo formë të tejkalimit të sinjalit në territorin italian dhe kërkon që sinjalet OTT të jenë të gjeolokalizuara vetëm në Shqipëri.
Për rrjedhojë, furnizimi me sinjal do të mbetet i pezulluar deri në momentin kur Tring të garantojë respektimin e kufizimeve territoriale të përcaktuara në kontratë.
Kjo do të thotë se, nëse palët nuk arrijnë një marrëveshje në ditët në vijim, nisja e sezonit të ri të Serie A mund t’i gjejë tifozët shqiptarë pa transmetimin e kampionatit italian.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



