E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Siç ka thënë Zegjineja, Europa të bëhet si Shqipëria 2030!
OP-ED

Siç ka thënë Zegjineja, Europa të bëhet si Shqipëria 2030!

Shqipëria 2030, aty ku Europa bëhet e mërzitshme

Bledar Zaganjori

Largohesh pak ditë nga Tirana dhe e kupton se sa e mërzitshme është jeta pak më tutje atdheut.

Një ditë lexon që bodigardët e një lokali në Sarandë – ndoshta të mërzitur nga monotonia si unë këtu – ia kanë hyrë me dru, për qejf të shpirtit, nja dy vetëve, e pastaj, për shpëlarje, edhe shefit të Krimeve të Komisariatit të Policisë.

Të nesërmen gdhihesh e lexon që një turist i huaj, vetëm 20 vjeç, është vrarë me thikë nga një bodigard i një hoteli-diskoje-pubi në Ksamil. E mbyll i tmerruar telefonin dhe kthehesh në qetësinë e pushimeve, por pas nja dy-tri orësh nuk të lë sërish krimbi dhe hap në celular gjithçka që ka lidhje me Shqipërinë. Nuk zhgënjehesh e të rikthehen emocionet e forta, plot me të papriturat e një soap opere braziliane.

Bodigardët që rrahën shefin e Policisë dhe ai që vrau turistin portugez janë e njëjta kompani sigurie. Lexon që pronari i hotelit ishte person me probleme penale jashtë Shqipërisë – besoj për çështje të “pronësisë intelektuale”, debate akademikësh në bibliotekat e mëdha europiane – e që edhe ai që vrau 20-vjeçarin kishte një katalog të pasur interaktiviteti me drejtësinë.

Pastaj të dalin përpara lajmet që shefi i shefit të kompanisë së sigurisë së bodigardëve që rrahën shefin e Krimeve dhe vranë turistin portugez ka rrethuar Komisariatin e Policisë së Sarandës, ku ndodhet shefi i Policisë që rrahën e ku mbahet shefi i kompanisë së sigurisë së bodigardëve që rrahën shefin e Policisë – bashkë me bodigardët – dhe i bodigardit që vrau turistin portugez.

Vetëm Shqipëria turistike të ofron kaq shumë emocione brenda 24 orëve dhe nuk të lë asnjëherë të mërzitesh, por të mban mbërthyer pas ekranit të telefonit!

Europa është e mërzitshme, sepse Europa të ofron pushime gati-gati banale. Ajo merret me probleme të mërzitshme si kostoja e jetesës, çmimet, shërbimi cilësor, ka rregulla, ka qetësi, ka edukatë, mirësjellje e të tjera shfaqje të huaja.

Shpresoj që Shqipëria 2030 të mos i ngjajë Europës, të mos ofrojë një jetë me standarde, banale dhe pa asnjë emocion e aventurë. Përkundrazi, siç ka thënë Zegjineja, Europa të bëhet si Shqipëria 2030!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.