E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Revolta nuk ndalet, qytetarët në shesh për ditën e 83-të protestës
Lajme

Revolta nuk ndalet, qytetarët në shesh për ditën e 83-të protestës

Qytetarët rikthehen sot në rrugët e Tiranës për të 83-ën ditë radhazi, duke vijuar protestën kundër qeverisë dhe asaj që pjesëmarrësit e cilësojnë si kastë të vjetër politike.

Tubimi pritet të nisë, sikurse edhe në ditët e mëparshme, në sheshin “Skënderbej”, nga ku protestuesit do të marshojnë drejt Kryeministrisë. Përpara godinës së qeverisë pritet të zhvillohen fjalimet dhe deklaratat e pjesëmarrësve.

Në qendër të protestës është kundërshtimi ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë, por pakënaqësia e protestuesve shkon përtej mazhorancës. Në tubime janë artikuluar kritika edhe ndaj opozitës së drejtuar nga Sali Berisha, ndërsa kërkesa kryesore është largimi i klasës politike që protestuesit e konsiderojnë përgjegjëse për situatën në vend.

“Rama në burg, Berisha në burg”, thirrjet që dominojnë protestat

Një prej sloganeve që është përsëritur gjatë protestave është “Rama në burg, Berisha në burg”, duke reflektuar qëndrimin e protestuesve kundër të dyja krahëve të politikës tradicionale.

Në tubime janë dëgjuar gjithashtu thirrje për dorëheqjen e Edi Ramës, si dhe slogane të tjera si “Pa rini nuk ka Shqipëri” dhe “Shqipëria kërkon revolucion”.

Protestuesit kërkojnë ndryshim të mënyrës së qeverisjes dhe një shkëputje nga modeli politik që, sipas tyre, ka dominuar vendin prej vitesh.

Çfarë ndodhi në protestën e 82-të?

Një ditë më parë, gjatë protestës së 82-të, qytetarët u mblodhën në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë.

Pas përfundimit të fjalimeve para godinës së qeverisë, protestuesit vijuan marshimin në disa prej rrugëve të kryeqytetit, duke e shtrirë tubimin edhe përtej zonës përpara Kryeministrisë.

Gjatë protestës u ngritën një sërë shqetësimesh që lidhen me situatën ekonomike dhe sociale në vend. Nga podiumi u hodhën akuza për korrupsionin, shpopullimin, problemet në arsim, çështjet e pronësisë dhe administrimin e pasurive natyrore.

Në fokus u vendosën gjithashtu investimet dhe projektet e diskutueshme në zona të ndryshme të Shqipërisë, përfshirë Sazanin, Zvërnecin dhe Rrjollin.

“Korrupsioni ka shkatërruar gjithçka”

Gjatë fjalimeve të protestës së një dite më parë, një prej pjesëmarrësve e lidhi situatën në disa sektorë të vendit me korrupsionin.

“Korrupsioni ka shkatërruar gjithçka, korrupsioni ka shkatërruar shkollat, universitetet, ka shkatërruar pyjet, ka shkatërruar pronësinë”.

Një tjetër protestues u ndal te nevoja për një angazhim më të gjerë qytetar dhe ndryshime në kuadrin kushtetues.

“Vetëm të bashkuar mund t’ia dalim. Kjo qëndresë është fuqia e vërtetë e një kombi të bashkuar”.

Sot, protesta hyn në ditën e 83-të, ndërsa pritet që qytetarët të rikthehen sërish në shesh dhe të marshojnë drejt Kryeministrisë.

Vijimësia e protestave për më shumë se dy muaj tregon se pakënaqësia e organizatorëve dhe pjesëmarrësve nuk është shuar, ndërsa kërkesat për ndryshim politik, përgjegjësi institucionale dhe largimin e kastës politike mbeten në qendër të tubimeve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.