Shtylla i mohon fitoren Egnatias, lojtarët optimist për sfidën e kthimit
Aleksi sfidon norvegjezët: Nuk do të mbrohemi!
Bitri: Mund të kalojmë!
Egnatia nuk ka mundur të marrë avantazhin në shtëpi ndaj Lillestromit, duke u ndalur në një barazim pa gola, 0-0, në ndeshjen e parë të “play-off”-it të Europa League.
Sfida e zhvilluar të enjten mbrëma në “Arena Egnatia” në Rrogozhinë ishte e luftuar, me të dyja skuadrat që patën mundësi për të shënuar, por pa arritur të ndryshojnë rezultatin.
Me këtë rezultat, gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit, e cila do të luhet më 27 gusht në Norvegji, në fushën e Lillestromit.
Goli i Lillestromit anulohet nga VAR
Norvegjezët e nisën më mirë takimin dhe në minutën e 5-të arritën të dërgonin topin në rrjetë.
Gabrielsen përfitoi nga një goditje e lirë dhe mposhti portierin e Egnatias, por goli nuk u quajt i vlefshëm. Pas ndërhyrjes së VAR-it, u konstatua pozicion jashtë loje dhe rezultati mbeti 0-0.
Pas këtij momenti, Egnatia filloi të fitonte terren dhe të afrohej më shpesh pranë portës kundërshtare.
Egnatia krijon raste, por nuk gjen golin
Rrogozhinasit patën mundësinë e parë të rrezikshme për të shënuar me Daniel Adjessën, goditja e të cilit u ndal nga portieri i Lillestromit.
Egnatia vijoi të kërkonte hapësira dhe pati edhe raste të tjera me Alessandro Albanesen, por finalizimi mungoi.
Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola, ndërsa pas pushimit skuadra e Nevil Dedes vijoi të kërkonte avantazhin.
Gruda godet shtyllën
Rasti më i mirë i Egnatias erdhi në pjesën e dytë.
Ildi Gruda goditi me kokë, por topi u përplas në traversë dhe u rikthye në fushë. Ishte momenti më pranë golit për kampionët shqiptarë, të cilët kështu humbën një mundësi të artë për të marrë avantazhin në shtëpi.
Edhe Lillestromi pati mundësinë e tij të madhe për të shënuar.
Në minutën e 73-të, Felix Va u gjend në një pozicion shumë të favorshëm përballë portës së Egnatias, por nuk arriti ta dërgonte topin në rrjetë.
Në fund, asnjëra prej skuadrave nuk arriti të gjente golin dhe sfida përfundoi 0-0.
Aleksi: “Nuk do të shkojmë të mbrohemi në Norvegji”
Pas ndeshjes, kapiteni i Egnatias, Albano Aleksi, deklaroi për OFFSIDE se skuadra e tij e njeh forcën e kundërshtarit, por nuk do të ndryshojë filozofinë e lojës në sfidën e kthimit.
“Ne do bëjmë të njëjtën gjë edhe atje dhe shkojmë të luajmë futboll. Normalisht nuk do rrimë mbrojtje sepse jemi një ekip që e dimë cilësinë dhe forcën tonë të grupit”.
Aleksi theksoi se një prej pikave më të forta të Egnatias është grupi dhe harmonia brenda skuadrës.
“Pika më e fortë e jona, grupi normalisht, sepse ne gjithmonë na ka mbajtur grupi, asnjëherë individi”.
Kapiteni foli edhe për duelin personal me një prej lojtarëve të Lillestromit, duke treguar se kishte tentuar ta nxirrte nga kontrolli gjatë ndeshjes.
“Më provokonte dhe dinte që unë ndoshta mund të isha pak agresiv, por unë e kuptoj që kundërshtari më studion, si gjithmonë edhe unë i studioj”.
Bitri: “Atje na pret një ndeshje edhe më e vështirë”
Edhe mbrojtësi Eneo Bitri e konsideroi kualifikimin si objektivin kryesor të skuadrës.
“Objektivi është që të kualifikohemi normalisht, pasi jemi të uritur të shkojmë sa më lart”.
Bitri vlerësoi forcën fizike të Lillestromit, duke theksuar se norvegjezët janë një skuadër që vrapon shumë dhe që fizikisht paraqitet në nivel të lartë.
“Pika e fortë e tyre është ekipi. Siç e patë dhe ju, fizikisht janë shumë lart, pasi janë edhe në mes të kampionatit dhe dihet që vrapojnë jashtëzakonisht shumë”.
Sipas mbrojtësit të Egnatias, kushtet atmosferike mund të luajnë një rol në ndeshjen e kthimit.
“Pika e dobët e tyre mendoj që ka qenë moti, ka qenë në favorin tonë, pasi ata atje dihet se është shumë më ndryshe nga këtu”.
Bitri zbuloi gjithashtu se trajneri Nevil Dede e kishte përgëzuar skuadrën pas paraqitjes në Rrogozhinë.
“Kemi bërë një super, super ndeshje, ndeshjen më të mirë që kemi luajtur këtu brenda”.
Egnatia ka një tjetër objektiv të sigurt në Evropë
Pavarësisht rezultatit pa gola, Egnatia vijon ta ketë të hapur mundësinë për të avancuar në fazën e ligës së Europa League.
Në rast eliminimi nga Lillestromi, kampionët shqiptarë e kanë të garantuar pjesëmarrjen në fazën e ligës së Conference League, çka do të thotë se aventura evropiane e skuadrës së Nevil Dedes do të vijojë pavarësisht rezultatit të çiftit.
Megjithatë, objektivi i rrogozhinasve është më i madh: të kalojnë “play-off”-in dhe të sigurojnë një vend në fazën e ligës së Europa League.
Tashmë gjithçka do të vendoset në Norvegji, më 27 gusht, në një sfidë ku Egnatia duhet të gjejë një rezultat pozitiv për të shkruar një tjetër kapitull të rëndësishëm në historinë e saj evropiane.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



