DHUNA QË PRISH RENDIN DHE DHUNA QË E MBAJNË NË KËMBË PUSHTETIN!
Publikuar nga Ergis Noka
Midis Blendi Klosit në Top Channel dhe Arbjan Maznikut në Opinion, vendosa të dëgjoja Maznikun. I formuar politikisht në lëvizjen Mjaft, që në vitet 2003–2004 i kërkonte Fatos Nanos dorëheqjen, ai më ngjallte kureshtje. Doja të dëgjoja se si do ta interpretonte revoltën e sotme një njeri që dikur e kishte nisur karrierën politike duke protestuar kundër pushtetit.
Mazniku e nisi argumentin me përkufizimin e famshëm të Max Weber-it: shteti modern ka monopolin mbi përdorimin legjitim të forcës fizike. Deri këtu, gjithçka në rregull. Por Weber-i nuk ka thënë se pushteti, sapo vesh uniformën e ligjit, fiton edhe pafajësinë.
Monopoli mbi forcën nuk është monopol mbi drejtësinë. Dhe fakti që policia vepron në emër të ligjit nuk do të thotë se çdo veprim i saj është i ligjshëm, proporcional apo i drejtë.
Përndryshe, do të mjaftonte një uniformë për ta shenjtëruar dhunën dhe një gur në dorën e protestuesit për ta shpallur atë fajtor për gjithçka. Një zgjidhje ideale për çdo qeveri që dëshiron të shmangë pyetjen se çfarë i nxori njerëzit në rrugë.
Pikërisht këtu duhej të fillonte reflektimi i Maznikut.
Tri forma të dhunës sipas Hélder Câmara
Në vitin 1970, teologu dhe filozofi Hélder Câmara shpjegonte tri forma të dhunës që na ndihmojnë të kuptojmë se çfarë fshihet pas një përplasjeje në rrugë.
E para është dhuna strukturore, ajo që legalizon dhe përjetëson dominimin, shtypjen dhe shfrytëzimin. Nuk ka nevojë për britma, pranga apo shkopinj policie. Funksionon në heshtje, përmes një sistemi që ua vështirëson njerëzve jetën dhe ua ngushton mundësitë për të jetuar me dinjitet.
E dyta është dhuna e revoltës, që lind si reagim ndaj kësaj shtypjeje dhe synon të thyejë marrëdhëniet e vendosura të dominimit.
E treta është dhuna represive, ajo që ndërhyn për të shtypur revoltën dhe për të mbrojtur rendin ekzistues.
Nuk mjafton të shihet vetëm guri që fluturon
Sigurisht, kjo nuk do të thotë se çdo protestues ka të drejtë apo se çdo akt dhune justifikohet nga zemërimi. Por do të thotë se nuk mund ta gjykojmë revoltën vetëm nga guri që fluturon, pa parë edhe padrejtësitë që kanë shtruar rrugën deri te ai fluturim.
Dhuna nuk fillon domosdoshmërisht kur thyhet një xham. Shpesh ka nisur shumë kohë më parë: kur njeriu punon gjithë muajin dhe paga nuk i mjafton për të jetuar; kur pasiguria e punës e detyron të pranojë çdo kusht; kur qiraja, faturat dhe ushqimet e kthejnë jetën në një garë të përditshme mbijetese.
Ajo shfaqet në spitalet ku mungojnë burimet, në shërbimet shëndetësore që njerëzit nuk i përballojnë dot dhe në shërbimet publike që sakrifikohen. Ndërsa pasuritë luksoze të personazheve të lidhur me pushtetin ngjallin pikëpyetje që meritojnë përgjigje.
Për këtë dhunë nuk nevojitet një polic në çdo cep të rrugës. Mjafton që qytetarët të mos ia dalin dot deri në fund të muajit dhe një qeveri që u shpjegon se ekonomia po ecën shkëlqyeshëm.
Jemi mësuar të numërojmë xhamat e thyer, por jo padrejtësitë e akumuluara; të kërkojmë llogari për disa orë kaos, por të pranojmë si normalitet vite të tëra shpërfilljeje.
Për xhamin e thyer kemi pamje, autorë dhe kërkesë për ndëshkim. Për jetën e thyer nga padrejtësia kemi statistika, justifikime dhe konferenca për shtyp, ku na shpjegohet se, në fund të fundit, duhet të jemi mirënjohës për rritjen ekonomike.
Ligji dhe pushteti që jep llogari
Natyrisht, ligji duhet zbatuar. Por po aq e domosdoshme është që pushteti të japë llogari dhe që forca policore të jetë proporcionale. Qetësia e rrugëve nuk është domosdoshmërisht dëshmi se një shoqëri është e qetë. Shpesh është vetëm shenjë se njerëzit kanë humbur shpresën për t’u dëgjuar.
Udhëtimi i vërtetë politik i Maznikut duket se nuk është ai nga Mjaft-i te Bashkia e më pas te qeveria. Ai duket më tepër kalimi nga bindja se pushteti duhet sfiduar te bindja se protesta duhet menaxhuar.
Nga kërkesa për dëgjim te menaxhimi i protestës
Mazniku i dikurshëm kërkonte që pushteti të dëgjonte rrugën. Mazniku i sotëm e përdor rendin publik si alibi dhe mbrojtjen e rendit e ngatërron qëllimisht me mbrojtjen e pushtetit. Megjithatë, ai dhe shokët e tij dikur mëtonin se një qeveri nuk e tregon aftësinë duke shtypur revoltën, por duke mos e bërë atë të domosdoshme.
Por ja që jeta politike të ofron edhe këto mrekulli. Duket se nuk ndryshojnë vetëm bindjet me kalimin e viteve; ndonjëherë ndryshon edhe kuptimi i fjalës «protestë», sidomos kur kalon nga ana e atyre që protestojnë në anën e atyre që shqetësohen se si ta menaxhojnë atë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



