E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vrasja me 11 goditje thike,Tejlor Tivari dërgohet për gjykim:
Lajme

Vrasja me 11 goditje thike,Tejlor Tivari dërgohet për gjykim:

Zbardhet dëshmia për konfliktin me Marko Beqirajn

Prokuroria e Durrësit ka marrë të pandehur Tejlor Tivarin, i akuzuar për vrasjen me thikë të Valbon alias Marko Beqirajt, ngjarje e ndodhur në shtator të vitit 2025 në qytetin bregdetar.

Sipas dosjes hetimore, ndaj Tivarit është ngritur akuza e “Vrasjes me dashje”, ndërsa çështja është dërguar për shqyrtim gjyqësor.

Në të njëjtën dosje është marrë i pandehur edhe Xhenis Dakoli, shoku i Tivarit, ndaj të cilit është ngritur akuza e “Përkrahjes së autorit të krimit”. Sipas hetimeve, Dakoli e ka marrë Tivarin me automjet pas ngjarjes dhe e ka dërguar në banesë, pa njoftuar policinë për atë që kishte ndodhur.

Konflikti brenda apartamentit

Ngjarja është regjistruar më 24 shtator 2025. Nga dëshmia e dhënë prej Tejlor Tivarit dhe e administruar në dosjen hetimore rezulton se ai e njihte më parë viktimën, pasi pretendon se në dy raste kishte blerë lëndë narkotike prej tij.

Tivari ka deklaruar se rreth orës 09:00 të asaj dite kishte komunikuar në telefon me Marko Beqirajn për t’u takuar dhe për të blerë sërish lëndë narkotike.

Sipas rrëfimit të tij, Beqiraj e kishte ftuar në apartamentin ku qëndronte, në pallatin nr. 983, pranë tregut të fruta-perimeve në Durrës.

Tivari pretendon se, pasi kishte hyrë në apartament, aty kishte gjetur vetëm Beqirajn. Sipas versionit të tij, në një moment viktima ishte zhveshur dhe i kishte shprehur dëshirën për të kryer marrëdhënie seksuale.

Ai ka deklaruar se e kishte refuzuar dhe ishte përpjekur të largohej.

Tivari: Më kërcënoi me thikë

Në dëshminë e tij, i pandehuri pretendon se Beqiraj nuk e kishte lejuar të largohej nga apartamenti dhe e kishte kërcënuar me një thikë me teh në formë sharre.

Mes tyre më pas kishte nisur një përleshje fizike.

Tivari ka treguar se gjatë konfliktit kishte arritur t’ia merrte thikën Beqirajt dhe ta godiste me të, por në një moment thika ishte thyer pranë dorezës.

Konflikti, sipas tij, nuk ishte ndalur aty.

Ai ka deklaruar se kishte marrë një thikë tjetër në kuzhinë dhe kishte goditur në mënyrë të përsëritur Marko Beqirajn.

Sipas dosjes, viktima është goditur 11 herë me thikë, kryesisht në zonën e gjoksit, qafës dhe kokës.

Pas goditjeve, Tivari është larguar nga apartamenti duke marrë me vete thikën, të cilën ka deklaruar se e kishte hedhur gjatë rrugës.

Kërkoi ndihmën e shokut pas vrasjes

Pas largimit nga vendngjarja, Tivari ka kontaktuar Xhenis Dakolin dhe i ka kërkuar ndihmë.

Sipas deklarimeve të administruara në dosje, Dakoli e ka marrë me automjet dhe e ka transportuar drejt banesës së tij.

Gjatë rrugës, Tivari i kishte treguar se kishte bërë “një sherr të keq”, ndërsa më pas e kishte vënë në dijeni për ngjarjen.

Prokuroria pretendon se, megjithëse ishte informuar për krimin, Dakoli nuk ka njoftuar Policinë e Durrësit. Për këtë arsye ai është marrë i pandehur për “Përkrahjen e autorit të krimit”.

Nëna i kërkoi të vetëdorëzohej

Pasi kishte mbërritur në banesë, Tejlor Tivari ia kishte treguar ngjarjen nënës dhe vëllait të tij.

“…Në mbrëmje i kam treguar mamasë dhe vëllait tim ngjarjen që kam kryer dhe më pas nëna më ka thënë që të dorëzohesha në polici…”, ka deklaruar Tivari.

Pas bisedës me familjarët, ai është paraqitur në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, ku është vetëdorëzuar duke deklaruar se ishte autori i vrasjes.

Gjatë marrjes në pyetje ai ka pretenduar se edhe vetë kishte pësuar dëmtime gjatë përleshjes. Nga këqyrja fizike, sipas materialeve të hetimit, policia ka konstatuar dëmtime në duar dhe në parakrahun e djathtë.

Tashmë Prokuroria e Durrësit i ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim Tejlor Tivarin për “Vrasje me dashje”, ndërsa Xhenis Dakoli do të përballet me akuzën e “Përkrahjes së autorit të krimit”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.