E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
S’kanë fund problemet për Rezart Taçin, paditet se nuk pagoi 8 milionë € taksa
Lajme

S’kanë fund problemet për Rezart Taçin, paditet se nuk pagoi 8 milionë € taksa

Duket se problemet me drejtësinë të ish manjatit shqiptar të naftës, Rezart Taçi nuk kanë të përfunduar.

Pasi mori pafajësinë 6 muaj më parë nga gjykata e Apelit për akuzën e mospagimit të taksave dhe tatimeve, Prokuroria e Tiranës e ka dërguar sërish për gjykim Rezart Taçin për të njëjtat akuza.

Në fakt akuza është e njëjta por objekti është i ndryshëm. Kësaj radhe Taçi akuzohet se ka shmangur pagesën e TVSH-së, akcizës dhe taksën e karbonit, gjatë kohës që ka patur nën administrim kompaninë Armo.

Sipas prokurorisë, shmangia e këtyre detyrimeve kap një vlerë që shkon mbi 8 milionë euro.

Këtë konstatim fillimisht e ka bërë një audit i tatimeve që kontrolloi veprimtarinë e Armo-s për vitet 2011-2013. Dhe në bazë të këtij raporti prokuroria nisi hetimet dhe e ka dërguar në gjykim.

Një fakt i rëndësishëm që ka në dorë prokuroria kundër Taçit, është se në një kohë kur Armo nuk shlyente detyrimet tatimore me argumentin se nuk kishte likuiditet, janë regjistruar tërheqje të konsiderueshme disa milionë euro nga llogaritë bankare të firmës, të cilat nuk dihet se ku kanë përfunduar.

Tanimë i takon gjykatës së Tiranës të vlerësojë hetimin e prokurorisë dhe argumentet kundër. Ashtu si edhe në procesin e parë, Rezart Taçi po gjykohet në mungesë pasi prej më shumë se dy vitesh është larguar nga vendi.

Ai u akuzua edhe nga autoritetet zvicerane për mashtrime me disa firma, por për momentin nuk dihet se si kanë përfunduar këto procedura. Ish manjati i naftës Rezart Taçi, pa një rënie të lirë të të gjitha firmave që kishte krijuar në Shqipëri, pasi privatizoi Armo-n. /TCh

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.