KPP rrëzon skualifikimin e AKSHI-t, Meksi: Nuk kishte bazë ligjore
Komisioni i Prokurimit Publik ka rrëzuar vendimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) për skualifikimin e bashkimit të kompanive Primus Albania, Datech dhe Advanced Data Management nga gara për mirëmbajtjen e modulit të kontrollit të faturimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Me vendimin e tij, KPP i ka kërkuar AKSHI-t të rihapë procedurën dhe të vijojë me rikualifikimin e operatorëve që ishin skualifikuar nga gara.
Çështja lidhet me tenderin për mirëmbajtjen e sistemit të fiskalizimit, një procedurë që sipas drejtuesit të përgjithshëm të MCN TV, Endri Meksi, është shoqëruar prej muajsh me vonesa dhe përplasje procedurale.
Në një prononcim për edicionin e lajmeve të MCN TV, Meksi e konsideroi të pajustifikuar skualifikimin e bashkimit të kompanive, duke argumentuar se devijimi i konstatuar kishte të bënte me rrumbullakimin e përqindjeve të aksioneve mes kompanive pjesë e bashkimit.
Sipas tij, diferenca ishte minimale dhe nuk përbënte një gabim aritmetik në kuptimin e përcaktimeve ligjore që rregullojnë ofertat në procedurat e prokurimit publik.
Meksi iu referua nenit 92 të ligjit për prokurimin publik, i cili, sipas tij, i jep autoritetit kontraktor mundësinë të kërkojë sqarime nga operatori ekonomik në rast se konstatohen devijime në dokumentacionin e ofertës.
Ai theksoi se në këtë rast nuk bëhej fjalë për një gabim të tillë që të justifikonte përjashtimin e operatorit nga gara.
Diferenca ishte 6 të mijtat
Sipas Meksit, problemi i konstatuar lidhej me mënyrën e rrumbullakimit të përqindjeve të pjesëmarrjes së tre kompanive në bashkim.
Ai shpjegoi se dokumentacioni i një oferte përmban disa elemente, ndërsa një prej dokumenteve kryesore është formulari i ofertës, ku përcaktohen çmimi për njësi, çmimi total dhe vlera e shprehur me shkrim.
Në këtë kuadër, rregullat e prokurimit përcaktojnë mënyrën se si trajtohen mospërputhjet apo gabimet në llogaritje. Sipas Meksit, mundësia për të kërkuar sqarime lidhet me raste kur diferenca brenda ofertës nuk tejkalon kufirin e përcaktuar nga rregullat përkatëse.
Në rastin konkret, ai argumentoi se diferenca ishte vetëm 6 të mijtat dhe nuk lidhej me një gabim aritmetik në formularin e ofertës, por me përqindjen që rezultonte nga pjesëmarrja e tre kompanive në bashkim.
“Gabimi” sipas tij kishte ardhur nga rrumbullakimi i përqindjeve gjatë ndarjes së pjesëve të punës mes kompanive dhe nuk ndryshonte thelbin e ofertës.
Pikërisht për këtë arsye, Meksi e konsideron të pabazuar ligjërisht skualifikimin e operatorëve nga procedura.
Tenderi i fiskalizimit, një proces i zvarritur prej muajsh
Përtej debatit mbi skualifikimin, Meksi ngriti pikëpyetje edhe për kohëzgjatjen e procedurës së prokurimit.
Sipas tij, procedura për mirëmbajtjen e sistemit të fiskalizimit është shoqëruar me vonesa që prej vitit 2025. Ai tha se dosja ishte hapur gjatë muajve prill-maj 2025, por procedura ishte bllokuar fillimisht për shkak të parametrave të tenderit, të cilët u konsideruan kufizues.
Më 1 korrik 2025 ishte marrë edhe një vendim i parë nga Komisioni i Prokurimit Publik, ndërsa, sipas Meksit, përgjigjja nga administrata tatimore ishte dhënë vetëm disa muaj më vonë, më 18 nëntor.
Sipas tij, tejkalimi i afateve në procedurat e ankimit dhe shqyrtimit institucional është kthyer në një problem të përsëritur në procedurat publike në Shqipëri.
Meksi vlerësoi gjithashtu se tre kompanitë pjesë e bashkimit kanë qenë të përfshira që në fazat e para të procesit të fiskalizimit.
Vendimi i KPP-së rikthen tashmë në garë operatorët e skualifikuar dhe i hap rrugë vijimit të procedurës së prokurimit për mirëmbajtjen e sistemit të fiskalizimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



