Deputeti Hysen Buzali, djali i tezes së kreut të SPAK, Klodian Braho

Deputeti i PS-së Hysen Buzali, i afërm i kreut të SPAK? Rama i firmosi lejen për hotel në Qeparo para zgjedhjeve
Një tjetër detaj i shtohet historisë së deputetit socialist të Beratit, Hysen Buzali, i cili nga profesionist i sektorit shëndetësor është shndërruar në një biznesmen me pasuri të konsiderueshme dhe tashmë edhe investitor në bregdetin e jugut.
Sipas informacionit të siguruar nga Publik.al, Hysen Buzali është djali i tezes së drejtuesit të SPAK, Klodian Braho. Kjo lidhje familjare nuk rezulton e pasqyruar në dokumentet publike të konsultuara dhe, për këtë arsye, duhet trajtuar si informacion që kërkon konfirmim të mëtejshëm nga palët.
Ajo që konfirmohet zyrtarisht është se më 27 shkurt 2025, vetëm pak muaj përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit miratoi lejen e ndërtimit për projektin “Sunrise Hotel” në Qeparo, Bashkia Himarë.
Në dokumentin zyrtar të publikuar nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, si zhvillues të projektit figurojnë Deli Zenelaj, Emire Zenelaj, Hysen Buzali dhe Frida Buzali. Vendimi nr. 40, datë 27.02.2025, mban miratimin e kryetarit të KKTU-së, kryeministrit Edi Rama.
Nga leja e hotelit te mandati i deputetit
Koha e miratimit të projektit merr një dimension politik për shkak të zhvillimeve që pasuan.
Vetëm pak muaj pas marrjes së lejes, Hysen Buzali u përfshi në garën parlamentare si kandidat i Partisë Socialiste në Qarkun e Beratit dhe arriti të siguronte mandatin e deputetit.
Gjatë prezantimit të kandidatëve, drejtuesi politik i PS-së për Beratin, Ervin Demo, e prezantonte Buzalin si një profesionist të shkencave mjekësore dhe njeri që kishte kontribuar për komunitetin.
Por profili ekonomik i kandidatit ishte shumë më i gjerë.
Buzali ishte përfshirë prej kohësh në aktivitet privat në sektorin shëndetësor, ndërsa sipas raportimit të Boldnews, kishte blerë më herët Spitalin privat “Continental” për rreth 1.8 milionë euro.
Sunrise Hotel” në Qeparo
Dokumenti zyrtar përcakton se projekti “Sunrise Hotel” do të ketë 1, 2 dhe 3 kate mbi tokë dhe 3 kate nëntokë, në Qeparo, Bashkia Himarë. Projektues është kompania “UNO ARCHITECTS” sh.p.k.
Sipas dokumentacionit të cituar nga media, projekti shtrihet në një truall prej rreth 906 metrash katrorë, ndërsa sipërfaqja totale e ndërtimit raportohet rreth 2,052 metra katrorë.
Pra, në shkurt 2025 Edi Rama, në funksionin e kryetarit të KKTU-së, miratonte projektin ku Hysen Buzali ishte një prej zhvilluesve, ndërsa disa muaj më vonë Buzali do të hynte në Kuvend nën siglën e Partisë Socialiste.
Nga infermier në deputet dhe biznesmen milionash
Në zgjedhjet e 11 majit 2025, Buzali rezultoi kandidati më i votuar i PS-së në listën e hapur në Berat.
Në numërimin fillestar të votave preferenciale ai rezultoi me 8,209 vota, duke lënë pas Fadil Nasufin dhe kandidatët e tjerë socialistë.
Të dhënat përfundimtare të publikuara nga KQZ, të cilat përfshijnë edhe votimin nga jashtë, e çojnë rezultatin e tij në 9,909 vota. (KQZ)
Pas marrjes së mandatit, deklarimi i pasurisë së Buzalit evidenton një portofol me vlerë të konsiderueshme: të ardhura nga shitje pasurish të paluajtshme, apartamente, troje, depo, llogari bankare, aksione, dividendë dhe të ardhura nga aktiviteti në sektorin privat të shëndetësisë.
Sipas të dhënave të raportuara, ndër zërat e deklaruar përfshihen shitje pasurish në vlerën 303 mijë euro, 186 mijë euro dhe 100 mijë euro, paga rreth 60 mijë euro nga Spitali Continental Tiranë, prona të shumta dhe aksione në kompaninë “Royal-Farma”.
Lidhja me kreun e SPAK ngre një tjetër pikëpyetje
Në këtë histori hyn tashmë edhe informacioni për lidhjen familjare mes deputetit socialist dhe drejtuesit të SPAK.
Sipas burimeve të Publik.al, Hysen Buzali është djali i tezes së Klodian Brahos, i zgjedhur në krye të Prokurorisë së Posaçme.
Në mungesë të një dokumenti publik që provon gjenealogjinë familjare, Publik.al e paraqet këtë si informacion të burimeve dhe jo si fakt të verifikuar dokumentarisht.
Faktet e dokumentuara mbeten megjithatë të qarta: më 27 shkurt 2025, qeverisja territoriale e drejtuar nga Edi Rama miratoi “Sunrise Hotel” në Qeparo me Hysen Buzalin mes zhvilluesve; pak muaj më vonë Buzali u zgjodh deputet i Partisë Socialiste në Berat.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



