E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nga Guajakili në Europë: Si u ngrit perandoria shqiptare e kokainës
Bota

Nga Guajakili në Europë: Si u ngrit perandoria shqiptare e kokainës

Si rrjetet kriminale shqiptare shfrytëzuan dobësitë e Ekuadorit për të zgjeruar trafikun e kokainës

Ekuadori është shndërruar në një prej pikave më të rëndësishme të trafikut të kokainës drejt Europës, ndërsa në këtë rrjet ndërkombëtar të krimit të organizuar një rol të veçantë u është atribuar edhe grupeve kriminale shqiptare dhe ballkanike.

Sipas një analize të publikuar nga Arturo Torres, disa faktorë e kthyen vendin në një terren të favorshëm për zhvillimin e krimit transnacional: dobësia e institucioneve, korrupsioni, boshllëqet në kontrollin financiar dhe rritja e prodhimit të kokainës në Amerikën Latine, paralelisht me zgjerimin e kërkesës për këtë drogë në Europë.

Gjatë 15 viteve të fundit, tregu europian i kokainës është zgjeruar ndjeshëm. Në të njëjtën periudhë, vendet e Amerikës Latine janë integruar gjithnjë e më shumë në zinxhirin ndërkombëtar të prodhimit, përpunimit, transportit dhe pastrimit të parave.

Sipas të dhënave të cituara në analizë, prodhimi i kokainës në rajon është rritur ndjeshëm krahasuar me një dekadë më parë, ndërsa kultivimi i kokës në Kolumbi, një prej burimeve kryesore të kokainës në botë, ka shënuar rritje të fortë.

Si nisi depërtimi shqiptar në Ekuador

Gjurmët e para të rrjeteve shqiptare në Ekuador lidhen me rreth vitin 2009. Sipas analizës, shqiptarët mbërritën në vend në funksion të interesave të grupeve italiane të krimit të organizuar, veçanërisht ‘Ndrangheta-s, e cila kërkonte lidhje më të drejtpërdrejta me burimet e kokainës në Kolumbi.

Guajakili u kthye në pikën kryesore të interesit. Qyteti portual kishte një infrastrukturë të fuqishme tregtare dhe një numër të madh portesh që shërbenin për eksportin e bananeve dhe produkteve të tjera drejt tregjeve ndërkombëtare.

Pikërisht vëllimi i madh i mallrave që lëviznin nëpër porte krijonte mundësi për fshehjen dhe transportimin e ngarkesave të paligjshme.

Në atë periudhë, autoritetet ekuadoriane ishin të përqendruara kryesisht te trafiku që zhvillohej përmes zonave bregdetare dhe porteve më të vogla. Në këtë skemë luante rol edhe Los Choneros, grup kriminal që shërbente si një prej aktorëve lokalë të logjistikës.

Ndërkohë, Karteli i Sinaloas kishte krijuar një pozitë dominuese në transportimin e drogës përmes Ekuadorit, duke përdorur rrugë tokësore, detare dhe ajrore.

Dobësimi i kontrollit shtetëror

Një faktor tjetër që, sipas analizës, ndikoi në krijimin e kësaj situate lidhet me ndryshimet politike dhe institucionale gjatë qeverisjes së Rafael Correas.

Pas një përplasjeje diplomatike me Kolumbinë në vitin 2008, bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe shkëmbimit të informacionit u dobësua. Sipas autorit, kjo ndikoi në operacionet e përbashkëta kundër trafikut të drogës përgjatë kufirit.

Në të njëjtën periudhë, u ndryshua edhe mënyra e kontrollit të porteve, ndërsa struktura të mëparshme të inteligjencës që bashkëpunonin me Kolumbinë dhe Shtetet e Bashkuara u shpërbënë.

Analiza e lidh gjithashtu rritjen e lëvizjeve kriminale me politikat e reja të emigracionit dhe lehtësimin e hyrjes së shtetasve të huaj në vend.

Nga biznesmenë te rrjete kriminale

Me kalimin e kohës, grupet shqiptare nuk u kufizuan vetëm te transporti i drogës.

Sipas analizës, disa prej tyre ndërtuan një fasadë biznesi përmes kompanive të eksportit, veçanërisht në sektorët e bananeve dhe produkteve të detit. Këto kompani u shërbyen si mbulesë për aktivitetet kriminale dhe njëkohësisht u krijuan mundësi për të depërtuar në rrjetet ekonomike lokale.

Në këtë kuadër përmenden edhe emra si Arbër Çekaj, Dritan Gjika dhe Dritan Rexhepi, të cilët sipas autorit lidhen me faza të ndryshme të zhvillimit të rrjeteve shqiptare të trafikut në Ekuador.

Rrjetet kriminale përdorën gjithashtu metoda të ndryshme për të konsoliduar qëndrimin e tyre në vend. Sipas analizës, disa persona siguruan dokumente të falsifikuara, leje qëndrimi apo viza investitori, ndërsa në raste të tjera u përdorën martesa fiktive me shtetase ekuadoriane.

Me krijimin e kompanive dhe lidhjeve të reja, grupet kriminale arritën të afroheshin me sipërmarrës vendas dhe persona me ndikim në institucione.

Depërtimi në strukturat shtetërore

Paratë e gjeneruara nga trafiku i kokainës krijuan mundësi për zgjerimin e mëtejshëm të rrjeteve.

Sipas analizës, grupet kriminale synuan të kontrollonin pjesë të rëndësishme të zinxhirit të furnizimit, nga sigurimi i drogës deri te transporti dhe dërgimi i saj në Europë.

Fitimet e mëdha u përdorën edhe për të diversifikuar aktivitetet. Krahas trafikut të drogës, rrjetet kriminale u orientuan edhe drejt sektorëve të tjerë, përfshirë nxjerrjen e paligjshme të arit.

Në këtë mënyrë, aktiviteti kriminal u shndërrua në një sistem ekonomik paralel, duke krijuar lidhje me biznesin dhe duke ushtruar ndikim mbi pjesë të strukturave shtetërore.

Dhuna shpërthen në Ekuador

Pasojat e kësaj situate janë ndjerë veçanërisht në Guajakil dhe në qytete të tjera të mëdha të Ekuadorit.

Që prej vitit 2021, vendi është përballur me një përshkallëzim të fortë të dhunës së lidhur me krimin e organizuar. Përplasjet mes grupeve kriminale për kontrollin e territoreve dhe rrugëve të trafikut kanë sjellë një rritje të vrasjeve dhe pasigurisë.

Sipas të dhënave të përfshira në analizë, numri i vdekjeve të dhunshme për 100 mijë banorë u rrit nga 6 në vitin 2019 në 50.9 në vitin 2025.

Në janar 2024, qeveria ekuadoriane shpalli “luftë” ndaj grupeve kriminale, ndërsa në vend vijuan operacionet policore dhe ushtarake, arrestimet dhe përpjekjet për të rimarrë territoret e kontrolluara nga bandat.

Megjithatë, sipas analizës, reagimi shtetëror ka mbetur kryesisht i përqendruar te masat ndëshkuese dhe ndërhyrjet e sigurisë, ndërsa mungon një strategji afatgjatë që të adresojë rrënjët ekonomike, institucionale dhe sociale të problemit.

SHBA dhe Europa rrisin bashkëpunimin

Përballë përshkallëzimit të krizës, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë shtuar bashkëpunimin me autoritetet ekuadoriane.

Qasja europiane fokusohet më shumë te forcimi institucional, trajnimi, programet sociale dhe shkëmbimi i informacionit të inteligjencës. SHBA-ja, ndërkohë, ka vijuar mbështetjen për strukturat e zbatimit të ligjit përmes pajisjeve, infrastrukturës dhe informacionit operacional.

Megjithatë, sfida mbetet e madhe. Përhapja e grupeve kriminale, kontrolli i territoreve, korrupsioni dhe fuqia financiare e rrjeteve të drogës kanë krijuar një situatë ku shteti përballet jo vetëm me banda të armatosura, por me struktura që kanë ndërtuar lidhje të qëndrueshme me ekonominë dhe institucionet.

Rasti i Ekuadorit tregon se si dobësimi institucional, korrupsioni dhe fuqia financiare e krimit të organizuar mund të krijojnë një cikël të vështirë për t’u thyer. Brenda këtij realiteti, rrjetet shqiptare dhe ballkanike janë bërë pjesë e një zinxhiri kriminal ndërkombëtar që lidh prodhimin e kokainës në Amerikën Latine me tregjet europiane.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.