Gjendet e vdekur ish-e dashura e McGonigal
Allison Guerriero, dha shunë intervista dhe tregoi me detaje për takimet me Ramën
Allison Guerriero, ish-partnerja e Charles McGonigal, ish-drejtorit të kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, është gjetur e vdekur në banesën e saj në Florida të Jugut.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, 52-vjeçarja kishte qenë aktive në rrjetin social X vetëm pak orë para vdekjes, ku kishte publikuar dhjetëra postime dhe kishte bërë deklarata kritike ndaj FBI-së.
Guerriero është emër i njohur për Shqipërinë, pasi ka denoncuar edhe lidhjet e McGonigal me kryeministrin Edi Rama dhe udhëtimet e ish-zyrtarit të FBI-së në Shqipëri. Ajo ka deklaruar se McGonigal i kishte treguar se do të udhëtonte në Shqipëri për t’u takuar me Ramën dhe kishte folur për marrëdhënien mes tyre.
“Ai po shkonte në Shqipëri për t’u takuar me kryeministrin Edi Rama”, ka deklaruar Guerriero, duke shtuar se McGonigal nuk i kishte treguar qëllimin e saktë të takimit.
Ajo asokohe ka deklaruar gjithashtu se McGonigal dhe Rama kishin një marrëdhënie personale dhe se ish-zyrtari i FBI-së fliste shpesh për kryeministrin shqiptar. Guerriero u kishte folur hetuesve amerikanë edhe për udhëtimet e McGonigal në Shqipëri dhe kontaktet e tij me Ramën.
Këto deklarata morën rëndësi pas publikimit të aktakuzës amerikane ndaj McGonigal, dokument në të cilin përmendej edhe kryeministri Edi Rama në lidhje me takimet që kishte zhvilluar me ish-zyrtarin e FBI-së.
Guerriero vijoi të fliste publikisht kundër McGonigal edhe pas dënimit të tij. Në vitin 2024 deklaroi për “Daily Mail” se ish-zyrtari i FBI-së duhej të kishte marrë një dënim më të rëndë dhe e quajti atë “tradhtar”.
Vetëm disa orë përpara se të gjendej e vdekur, Guerriero kishte publikuar një numër të madh postimesh në platformën X. Bëhej fjalë për rreth 75 postime, disa prej të cilave drejtoheshin kundër FBI-së.
Në një video të publikuar atë ditë, ajo shfaqej duke ecur në Boynton Beach dhe fliste për FBI-në dhe ish-zyrtarë të saj.
“Hej, mirëmëngjes të gjithëve. Miq dhe armiq… sigurisht që jam në mes të gjithë çrregullimit tim post-traumatik të stresit që nga 11 shtatori, por në fakt po marr frymë me lehtësim të madh…”, deklaronte Guerriero.
Më pas ajo rikthehej te çështja McGonigal dhe kërkonte që vëmendja të drejtohej edhe te emra të tjerë brenda strukturave federale.
“Ja ku qëndron problemi me Charles McGonigal. Ti e di emrin e tij, por nuk e dije kurrë më parë. Ti e dije emrin e Jim Comey-t. Ti e dije emrin e Chris Wray-t… të gjithë emrat që i di tashmë, i di. Pse nuk fillon të kërkosh emrat që nuk i di?”, shprehej ajo.
Në një tjetër postim të publikuar po atë ditë, Guerriero shkroi: “E urrej FBI-në”.
Babai i saj, 80-vjeçari Bill Guerriero, deklaroi për “Daily Mail” se familja ende nuk ka marrë një përgjigje për shkakun e vdekjes dhe po pret rezultatet e autopsisë.
“Nuk e dimë ende. Po presim të kemi qasje në raportin e autopsisë. Besoj se do të lëshojnë një certifikatë vdekjeje brenda ditës tjetër, në mënyrë që ta çojmë në shtëpi dhe ta varrosim.
Mund të ketë qenë një aksident. Mund të ketë rrëshqitur. Mund të ketë qenë çdo gjë. Po presim certifikatën e vdekjes që të dimë se çfarë ka ndodhur”, tha babai i saj.
Guerriero kishte kontakte edhe me figura të njohura të politikës amerikane. Ajo ishte mike e ish-kryebashkiakut të Nju Jorkut Rudy Giuliani dhe e afërt me Roger Stone, aleat i presidentit Donald Trump.
Stone deklaroi për “Daily Mail” se kishte komunikuar me Guerrieron me mesazh ditën kur ajo vdiq.
“Kam dëgjuar prej saj me anë të një mesazhi ditën që ndërroi jetë dhe dukej shumë mirë në humor. Ishin çështje pune. Ajo po ndihmonte me disa kërkime”, tha Stone.
Ai deklaroi gjithashtu se Guerriero vazhdonte të ishte e pakënaqur me mënyrën se si autoritetet amerikane e kishin trajtuar penalisht çështjen McGonigal.
“Ajo ishte padyshim ende shumë e pakënaqur me faktin se McGonigal duhej të ishte akuzuar për tradhti, por në vend të kësaj u akuzua vetëm për marrje ryshfeti. Ajo ishte jashtëzakonisht e acaruar”, deklaroi Stone.
Një burim i cituar nga “Daily Mail” pretendoi se Guerriero kishte marrë kërcënime në internet për shkak të qëndrimeve të saj. Babai i saj, megjithatë, tha se vajza nuk i kishte shprehur shqetësime se dikush po përpiqej ta dëmtonte.
Para se të bëhej e njohur për lidhjen me McGonigal dhe informacionet që dha për të, Guerriero kishte punuar si nënkryetare e operacioneve amerikane për kompaninë izraelite të sigurisë Mifram në Nju Jork. Ajo e kishte njohur McGonigal në pranverën e vitit 2017, kur punonte si vullnetare për Federal Enforcement Homeland Security Foundation.
Autoritetet e Boynton Beach nuk kanë bërë publik ende shkakun e vdekjes së Allison Guerriero. Policia ka deklaruar se hetimi vazhdon.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



