E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Helmohen 120 persona në Fushë Arrëz nga uji i pijshëm
Lajme

Helmohen 120 persona në Fushë Arrëz nga uji i pijshëm

Rreth 120 banorë të Fushë-Arrëzit janë paraqitur gjatë katër ditëve të fundit në Qendrën Shëndetësore të qytetit, duke shfaqur simptoma që dyshohet se mund të jenë shkaktuar nga ndotja e ujit të pijshëm.

Alarmi është ngritur nga vetë banorët, të cilët një ditë më parë denoncuan situatën dhe deklaruan se uji që furnizon banesat e tyre kishte një erë të rëndë. Sipas tyre, pavarësisht ankesave të përsëritura, nuk kishte pasur ndërhyrje konkrete nga autoritetet.

Pas shqetësimeve të raportuara, strukturat e Shëndetit Publik dhe të Higjienës kanë marrë mostra nga rrjeti i ujësjellësit, me qëllim kryerjen e analizave laboratorike. Deri tani, rezultatet e këtyre analizave nuk janë bërë ende publike dhe nuk ka një konfirmim zyrtar që simptomat e banorëve janë shkaktuar nga uji i pijshëm.

Për situatën ka reaguar edhe nënkryetari i Bashkisë së Fushë-Arrëzit, Mikel Qafa. Ai ka deklaruar se përgjegjësia për furnizimin me ujë të pijshëm i takon Shoqërisë Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Shkodër.

Qafa e ka lidhur problematikën edhe me diskutimet e fundit për ndryshimet territoriale dhe propozimin për bashkimin e Bashkisë Fushë-Arrëz me Bashkinë Pukë. Sipas tij, situata është një tjetër pasojë e përpjekjeve për largimin e shërbimeve publike nga qytetarët.

Ndërkohë, banorët vijojnë të përballen me pasigurinë për cilësinë e ujit që rrjedh në rubinetet e tyre. Në mungesë të një zgjidhjeje institucionale dhe në pritje të rezultateve të analizave, shumë prej tyre kanë nisur të sigurojnë ujë të pijshëm nga krojet e zonës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.