Vendi ‘zien’ nga protestat, shpërthen censura e rrjeteve sociale
Mbyllen mbi 200 llogari në Instagram, mes tyre Agron Shehaj dhe Gent Progni
Protestat kundër qeverisë së Edi Ramës kanë hyrë sot në ditën e 96-të, ndërsa kërkesa kryesore e protestuesve vijon të jetë dorëheqja e kryeministrit dhe largimi i qeverisë.
Në të njëjtën kohë, në rrjetet sociale është raportuar për një valë mbylljesh të llogarive në Instagram, ku pretendohet se janë prekur edhe profile të personave që kanë mbështetur apo promovuar protestat.
Mes llogarive të mbyllura raportohet edhe profili në Instagram i kryetarit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, si dhe ai i ekspertit të teknologjisë së informacionit, Gent Progni.
Shehaj ishte ndër të parët që bëri publik mbylljen e llogarisë së tij, duke e cilësuar këtë si një goditje ndaj aktivitetit të tij publik dhe politik.
Ndërkohë, deputetja e pavarur Marjana Koçeku, e cila është larguar nga Partia Socialiste, ka ngritur pretendimin se numri i profileve të prekura është shumë më i madh.
Sipas Koçekut, mbi 200 faqe në Instagram janë mbyllur, kryesisht profile që kanë publikuar përmbajtje në lidhje me protestat dhe opozitën.
“Një valë sulmesh online ka nisë veçanërisht që ditën e djeshme kundër disa figurave opozitare me ndikim politik dhe publik. Mbi 200 faqe Instagrami me përmbajtje nga protestat janë mbyllë, përfshi këtu faqen zyrtare të deputetit Agron Shehaj, aktivistit Gent Progni dhe faqeve të njoftuna në Instagram që e kanë mbështetë vazhdimisht protestën”, shkruan Koçeku.
Ajo e ka lidhur situatën edhe me debatin për sigurinë kibernetike dhe lirinë e shprehjes, duke pretenduar se çështjen e ka raportuar pranë institucioneve të Bashkimit Europian.
“Këto ditë në Forumin e Bled-it, siguria online dhe sulmet kibernetike ndaj lirisë së shprehjes ishin kryefjala e diskutimit të Komisionerëve Europianë. Qeveria jonë në Forume Ndërkombëtare e mbron këtë të drejtë me fanatizëm, por tenton me çdo kusht e çdo mjet ta shembë në shtëpinë e vet. Për këtë edhe kam raportu tashmë në institucionet e Bashkimit Europian”, vijon ajo.
Deri në këto momente, nuk ka një konfirmim zyrtar që mbylljet e llogarive janë urdhëruar apo shkaktuar nga një aktor politik ose shtetëror. Për këtë arsye, pretendimet për autorësinë dhe motivet e këtij aksioni mbeten të pakonfirmuara.
Raportimet vijnë në një periudhë kur protestat kundër qeverisë kanë vijuar për 96 ditë dhe rrjetet sociale janë shndërruar në një prej kanaleve kryesore për informimin, organizimin dhe mobilizimin e qytetarëve.
Nëse numri i llogarive të mbyllura konfirmohet, çështja mund të marrë një dimension më të gjerë politik dhe institucional, veçanërisht sa i përket lirisë së shprehjes, moderimit të përmbajtjes dhe përdorimit të platformave online në një klimë të tensionuar politike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



