Horror në Kosovë! Vëllai djeg motrën dhe plagos rëndë nënën
Një ngjarje e rëndë brenda një familjeje ka tronditur fshatin Potreq të Klinës në Kosovë. Një vajzë ka humbur jetën pasi pësoi djegie të rënda, ndërsa nëna e saj mbeti e plagosur rëndë.
Ngjarja ndodhi një ditë më parë, ndërsa Policia e Kosovës ka arrestuar vëllain e viktimës, i cili dyshohet se qëndron pas sulmit.
Sipas informacioneve zyrtare, i dyshuari dyshohet se i ka vënë flakën krevatit ku ndodhej motra e tij. Më pas, ai dyshohet se ka shkuar në një dhomë tjetër të banesës, ku ka sulmuar nënën e tij me një mjet të fortë, duke i shkaktuar dëmtime të rënda trupore.
Forcat e Policisë kanë ndërhyrë në vendngjarje dhe kanë arrestuar të dyshuarin. Ndërkohë, dy gratë janë transportuar fillimisht drejt Spitalit Rajonal të Pejës, por për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore janë dërguar për trajtim të specializuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, vajza nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra nga zjarri. Policia njoftoi se vdekja e saj është konstatuar nga ekipi mjekësor.
I dyshuari, i cili sipas raportimeve dyshohet se ka probleme të shëndetit mendor, është ndaluar fillimisht për 48 orë. Më pas ai është dërguar në repartin e psikiatrisë në Spitalin Rajonal të Pejës, ku po merr trajtim mjekësor nën mbikëqyrjen e Policisë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të përcaktojnë dinamikën e saktë të sulmit dhe përgjegjësinë penale të të dyshuarit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



