Kush është Gentian Çipi, shqiptari që u arratis nga Spitali i Serres?
Nga dënimi në Korçë te akuzat për grup kriminal në Greqi
Gentian Çipi, 41-vjeçari nga Korça, është kthyer në qendër të vëmendjes së autoriteteve greke pas arratisjes së tij spektakolare nga Spitali i Serres. Shqiptari, i cili mbahej në burgun e Nigritës, ishte dërguar në spital pasi kishte pretenduar se nuk ndihej mirë.
Arratisja ndodhi pasi persona të armatosur ndërhynë ndaj eskortës së sigurisë, duke e bllokuar dhe çarmatosur atë dhe më pas duke mundësuar largimin e Çipit.
Por pas tij qëndron një histori me precedentë penalë si në Shqipëri, ashtu edhe në Greqi.
Nga dënimi për zjarrvënie te procedimi në Korçë
Çipi ka lindur në Korçë dhe banon në Dishnicë. Në Shqipëri, emri i tij është përfshirë në disa çështje penale.
Në korrik 2024, ai u dënua me dy vite burg për veprën penale “Shkatërrim i pronës me zjarr”. Çështja lidhej me djegien e një automjeti të regjistruar si ngjarje e ndodhur më 24 prill 2023 në Korçë.
Më herët, në janar 2023, ai ishte proceduar nga policia në kuadër të operacionit “Fijet”. Gjatë hetimeve, pranë banesës së tij u zbuluan kamera të vendosura në mënyrë të paligjshme.
Akuzohet për tentativë vrasjeje në Selanik
Në Greqi, hetimet ndaj Çipit lidhen me një ngjarje të rëndë të ndodhur më 3 shtator 2024 në Pylaia të Selanikut.
Autoritetet greke e akuzojnë atë për tentativën e vrasjes së një 25-vjeçari. Sipas versionit të policisë greke, Çipi dyshohet se ka qëlluar me armë ndaj të riut jashtë një kantine, duke e plagosur në kraharor dhe në dorë.
Arrestimi i tij në Greqi u krye në shtator 2025, gjatë një operacioni policor në Selanik. Në të njëjtin aksion u vunë në pranga edhe dy shtetas të tjerë nga Korça, Enea Basholli dhe Kleo Topa.
Gjatë ndërhyrjes së policisë, Çipi dhe Topa tentuan të largoheshin me automjet. Ata përplasën një makinë policie dhe vijuan arratisjen në këmbë, por u kapën nga autoritetet.
Armë, drogë, para dhe dokumente false
Operacioni i policisë greke çoi edhe në sekuestrimin e një arsenali dhe një sasie të konsiderueshme droge.
Mes sendeve të gjetura ishin një kallashnikov me 30 fishekë, tre pistoleta dhe një silenciator. Autoritetet sekuestruan gjithashtu rreth 31 kilogramë marijuanë, dokumente false, 23 mijë e 350 euro, telefona celularë dhe tre automjete.
Në kuadër të hetimeve, policia greke dyshon se Çipi kishte rol drejtues në një grup kriminal, i cili dyshohet se ishte i përfshirë në trafik droge dhe aktivitete të dhunshme.
Hetimet pas arratisjes nga Spitali i Serres
Pas largimit nga Spitali i Serres, Çipi është shpallur në kërkim nga autoritetet greke, të cilat po punojnë për identifikimin dhe kapjen e tij, si dhe të personave të armatosur që organizuan ndërhyrjen për ta nxjerrë nga spitali.
Një tjetër pistë që po verifikohet nga hetuesit lidhet me mënyrën se si ai përfundoi në spital. Autoritetet po shqyrtojnë nëse pretendimi për gjendjen shëndetësore dhe transferimi nga burgu në spital kanë qenë pjesë e një plani të parapërgatitur për arratisjen.
Kërkimet për 41-vjeçarin vijojnë, ndërsa hetuesit grekë po përpiqen të zbardhin të gjithë skemën që mundësoi arratisjen dhe rolin e personave të armatosur në këtë operacion.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



