Veliaj pas hekurave, kërcet kriza te kompania e vëllait dhe gruas
Nga mbi 160 milionë në vetëm 16.3 milionë lekë fitim: kompania “Gogel Holdings”, e lidhur me Arbër Veliajn, vëllain e kryebashkiakut të Tiranës, ka mbyllur vitin 2025 me një rënie të ndjeshme të rezultatit financiar.
Sipas bilancit të depozituar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, fitimi i kompanisë në vitin 2025 ishte 16.3 milionë lekë, nga 43.3 milionë lekë që kishte raportuar një vit më parë. Në terma vjetorë, rënia rezulton rreth 62.4%.
Diferenca bëhet edhe më e theksuar nëse krahasimi shtrihet me vitin 2023. Në atë periudhë, “Gogel” raportonte më shumë se 160 milionë lekë fitim, çka tregon një tkurrje të konsiderueshme të rezultatit financiar në harkun e dy viteve.
Kompania e nisi aktivitetin në vitin 2009, në sektorin e reklamave dhe menaxhimit të fushatave promocionale. Më pas, aktiviteti i saj u zgjerua paralelisht me ngjitjen politike të Erion Veliajt.
Rritja e kompanisë ka qenë prej vitesh objekt debatesh dhe kritikash nga kundërshtarët politikë të kryebashkiakut, të cilët kanë ngritur pikëpyetje për marrëdhëniet e “Gogel” me biznese që kanë pasur kontrata, leje apo marrëdhënie të tjera me Bashkinë e Tiranës.
Pretendimet janë mohuar nga vëllezërit Veliaj.
Ndërkohë, emri i Arbër Veliajt është përfshirë edhe në hetimet e SPAK. Në tetor 2025 dhe prill 2026, BKH ka kryer kontrolle në ambientet e “Gogel” dhe të kompanive të lidhura me të.
Një tjetër zhvillim lidhet me pronësinë e kompanisë. Në tetor 2025, ajo kaloi nga Arbër Veliaj te “REG Investitionen GmbH”, një shoqëri me seli në Austri, e cila sipas të dhënave të bëra publike vijon të ketë lidhje me të.
483 mijë dollarë për lobim dhe mbrojtje në SHBA e Britani
Në të njëjtën kohë, dokumentet e FARA-s tregojnë për angazhimin e dy studiove të huaja ligjore nga Erion dhe Arbër Veliaj.
Bëhet fjalë për “Kasowitz Benson Torres” në Nju Jork dhe “Mishcon de Reya” në Londër, të angazhuara për çështje që lidhen me arrestimin dhe paraburgimin e kryebashkiakut të Tiranës.
Sipas dokumenteve, deri në prill 2026 shpenzimet për këto angazhime kanë arritur në rreth 483 mijë dollarë.
Arbër Veliaj ka deklaruar se ka qenë vetë garant financiar për angazhimin e studios amerikane dhe se pasuria e tij është krijuar përmes aktivitetit privat, të pavarur nga aktiviteti politik i të vëllait.
Në këtë panoramë financiare bie në sy kontrasti mes viteve të mëparshme dhe rezultatit të vitit 2025: nga një fitim mbi 160 milionë lekë në 2023, “Gogel” raporton tashmë 16.3 milionë lekë.
Rënia e fitimeve vjen në një periudhë kur emri i familjes Veliaj është përfshirë në hetime, kontrolle dhe procese gjyqësore, ndërsa paralelisht janë raportuar edhe shpenzime të konsiderueshme për shërbime ligjore dhe lobim jashtë vendit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco






