E diel, 29 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Fondet e IPARD III, Komisioni Evropian: Nuk kemi afate për hapjen e tyre
Ekonomi

Fondet e IPARD III, Komisioni Evropian: Nuk kemi afate për hapjen e tyre

Premtimet e përsëritura nga qeveria shqiptare për rikthimin e fondeve IPARD në mbështetje të fermerëve nuk janë shoqëruar ende me një datë konkrete nga Brukseli.

Më 30 janar 2026, ministri i Financave, Petrit Malaj, shprehej optimist për rikthimin e programit, duke deklaruar: “Jemi besimplotë dhe shpresëplotë se në shtator do të hapet dhe IPARD 3”.

Disa muaj më vonë, më 8 korrik, ministri i Bujqësisë, Andis Salla, e paraqiste procesin si të avancuar. Në një prononcim për Report TV, ai deklaronte se Shqipëria ndodhej në fazën përfundimtare të vlerësimit për fondet IPARD.

Por tashmë që shtatori ka mbërritur, përgjigjja e Komisionit Evropian nuk konfirmon një afat për hapjen e programit.

Në një përgjigje për Report TV, Brukseli sqaron se kërkesa e Shqipërisë, e dorëzuar në prill 2026, vijon të jetë në proces vlerësimi. Bëhet fjalë për kërkesën që lidhet me vlerësimin e detyrave të zbatimit buxhetor për masat e programit IPARD III për periudhën 2021–2027.

Komisioni Evropian thotë se në këtë proces po merren parasysh edhe gjetjet e OLAF-it, si dhe masat e ndërmarra nga autoritetet shqiptare për përmirësimin e sistemit të menaxhimit dhe kontrollit të fondeve.

Pra, ndryshe nga deklaratat e bëra më herët nga zyrtarët shqiptarë, Brukseli nuk flet për një hapje të sigurt në shtator.

Brukseli: Nuk dihet ende kur nis IPARD III

Komisioni Evropian sqaron se para se fondet të bëhen të disponueshme për Shqipërinë, duhet të përfundojë vlerësimi i kërkesës së autoriteteve shqiptare dhe të sigurohet se janë përmbushur detyrimet për garantimin e përdorimit të rregullt dhe efektiv të fondeve evropiane.

Vetëm pas përfundimit të kësaj procedure mund të kalohet në fazën e lidhjes së marrëveshjes financiare mes Shqipërisë dhe Komisionit Evropian.

Sipas Brukselit, pikërisht kjo marrëveshje do të mundësojë vënien në dispozicion të fondeve të BE-së dhe nisjen e zbatimit të programit.

“Aktualisht nuk është e mundur të thuhet se kur mund të miratohet delegimi dhe, për rrjedhojë, ende nuk dihet data e fillimit të zbatimit të programit IPARD III në Shqipëri”, thekson Komisioni Evropian.

Kjo do të thotë se, në mesin e shtatorit, pavarësisht deklaratave të mëparshme të qeverisë, Shqipëria ende nuk ka një datë zyrtare për rikthimin e fondit evropian.

Po fondet e IPARD II?

Ndërkohë, një tjetër çështje mbetet e hapur: ajo e fondeve të IPARD II, programi për të cilin janë ngritur dyshime për parregullsi dhe keqpërdorim.

Komisioni Evropian konfirmon se për këtë program vijon një procedurë dypalëshe mes Brukselit dhe autoriteteve shqiptare.

KE bën të qartë se çdo shumë që do të konstatohet se është shpenzuar në mënyrë të parregullt apo pa të drejtë duhet të rikthehet në buxhetin e Bashkimit Evropian.

Megjithatë, për sa kohë procedura nuk ka përfunduar, Brukseli nuk jep të dhëna të tjera mbi shumën që mund të jetë keqpërdorur.

Kjo pjesë e dosjes mbetet veçanërisht e rëndësishme, pasi problemet me IPARD II sollën ndërprerjen e mbështetjes evropiane për bujqësinë shqiptare.

146 milionë euro në pritje

Programi IPARD III parashikon në total nëntë masa dhe një paketë financiare prej 112 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian, ndërsa 34 milionë euro pritet të sigurohen nga buxheti i shtetit shqiptar.

Fondet synojnë të mbështesin sektorë të ndryshëm të zhvillimit rural, përfshirë infrastrukturën rurale, ndërtimin e tregjeve, agro-përpunimin, agroturizmin, pylltarinë, si dhe asistencën teknike dhe shërbimet këshilluese.

Për fermerët shqiptarë, rikthimi i programit mbetet i rëndësishëm, por zbatimi i tij varet ende nga përfundimi i procedurave me Komisionin Evropian.

Brukseli shprehet se është i gatshëm të vijojë mbështetjen për bujqësinë shqiptare, por vendos si kusht kryesor mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Evropian.

Si u pezulluan fondet?

Komisioni Evropian ndërpreu në gusht 2023 mbështetjen për bujqësinë shqiptare përmes fondeve IPARD, pas problemeve të konstatuara në lidhje me programin IPARD II.

Hetimet e OLAF-it, Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit, u zhvilluan pas denoncimeve që ngritën dyshime për korrupsion, favorizime dhe ndërhyrje politike në përdorimin e fondeve.

Çështja nuk ka mbetur vetëm në nivelin e institucioneve evropiane. Dosja vijon të jetë nën hetim edhe nga autoritetet e drejtësisë shqiptare.

Në këtë situatë, ndërsa zyrtarët shqiptarë kanë folur për një rikthim të afërt të fondeve, Komisioni Evropian ende nuk konfirmon një datë. Për momentin, IPARD III mbetet në fazën e vlerësimit, ndërsa 146 milionë eurot e parashikuara për Shqipërinë presin përmbushjen e kushteve dhe përfundimin e procedurave me Brukselin.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.