E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pacolli: Më vjen keq që dëmi do rëndojë xhepat e shqiptarëve
Lajme

Pacolli: Më vjen keq që dëmi do rëndojë xhepat e shqiptarëve

Biznesmeni pretendon se pas konfliktit të Aeroportit të Vlorës fshihet një plan për tjetërsimin e koncesionit.

Biznesmeni shqiptar nga Kosova, Behgjet Pacolli, ka reaguar sërish lidhur me situatën në Aeroportin e Vlorës, duke dhënë një tjetër version sqarues për përplasjen rreth koncesionit.

Në reagimin e tij, Pacolli deklaron se çështja, kundër vullnetit të tij, tashmë po kalon në duart e drejtësisë ndërkombëtare. Ai pretendon se problematika nuk ka qenë një mosmarrëveshje mes dy ortakëve, por pjesë e një plani të qëllimshëm për tjetërsimin e pronësisë së koncesionit.

“Çështja e Aeroportit të Vlorës, kundër dëshirës sime, po kalon në duart e drejtësisë ndërkombëtare. Tani po shifet se problemi nuk ka qenë dhe nuk është mosmarveshja në mes dy ortakëve por një plan i qëllimshëm që kishte për qellim TJETERSIMIN e këtij kocesioni, që tani po realizohet”, shkruan Pacolli.

Sipas biznesmenit, prej më shumë se një viti ai ka kërkuar dialog, zgjidhje dhe drejtësi. Pacolli thotë se kërkesat e tij për identifikimin e personave që kanë shkaktuar situatën dhe për marrjen e masave për të parandaluar përkeqësimin e saj janë lënë në heshtje, pa një arsye ligjore.

Pacolli shprehet gjithashtu i gatshëm që çdo dokument dhe çdo veprim i tij t’i nënshtrohet shqyrtimit nga institucionet kompetente.

“Jemi të gatshëm t’ia nënshtrojmë çdo dokument dhe çdo veprim shqyrtimit të institucioneve kompetente. Ato nuk duhet të konsiderohen si akuza nga ana jonë, por vetëm si paraqitje reale e fakteve. Kemi bërë çdo përpjekje për ta shmangur arbitrazhin”, vijon ai.

Biznesmeni thekson se vullneti i tij mbetet i pandryshuar: përfundimi i Aeroportit të Vlorës dhe vënia e tij në shërbim të qytetarëve.

Pacolli thotë se për këtë projekt ka investuar dhe punuar, ndërsa shton se do të vijojë të kërkojë drejtësi.

Në reagimin e tij, ai shpreh shqetësimin edhe për pasojat financiare që mund të ketë një proces i tillë për buxhetin publik.

“Më dhemb mendimi se një kompensim i mundshëm për dëmet, të cilat janë të mëdha, do të rëndonte mbi buxhetin publik dhe, përfundimisht, mbi qytetarët shqiptarë, e fatkeqësisht jo mbi personat që e kanë shkaktuar këtë situatë dhe tani po përfitojnë prej saj”, shprehet Pacolli.

Në përfundim, biznesmeni e lidh çështjen me investimin e tij në Shqipëri dhe shpreh keqardhjen për situatën e krijuar.

“Pas një jete pune në shumë vende, më dhemb veçanërisht që pikërisht kjo vepër, në vendin tim, me qeverinë time dhe në dëm të qytetarëve të mi, po përballet me atë që unë e konsideroj një padrejtësi të rëndë”, përmbyll Behgjet Pacolli.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.