Tomori: Aeroporti i Vlorës mund t’i kushtojë Shqipërisë 700 mln €
Vendimet e arbitrazheve ndërkombëtare dhe faturat financiare që mund të rëndojnë mbi shtetin shqiptar ishin në qendër të diskutimit mbrëmjen e së hënës në emisionin “Top Story”.
Një pjesë e rëndësishme e debatit u përqendrua te Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, një prej projekteve strategjike të viteve të fundit, i cili tashmë është përfshirë në një konflikt mes palëve dhe në procese gjyqësore e procedura arbitrazhi.
Projekti është shoqëruar prej kohësh me debate për kontratën koncesionare, financimin, strukturën e pronësisë dhe ecurinë e punimeve. Në vitin 2021, koncesioni për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e aeroportit u lidh për një periudhë 35-vjeçare.
Në emision u diskutua edhe për afatet e projektit dhe faktin se punimet, sipas afateve të parashikuara, duhet të kishin përfunduar tashmë. Në këtë kontekst, debati u zhvendos te përgjegjësitë e palëve, marrëdhëniet kontraktuale dhe rreziku që përplasja të prodhojë një faturë të konsiderueshme për shtetin shqiptar.
Manjani: “I paskan dhënë kontratë pa garanci financiare”
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si ishte ndërtuar kontrata dhe mbi përgjegjësitë që, sipas tij, i ishin lënë shtetit shqiptar.
“Këtij njeriu i paskan dhënë kontratë pa garanci financiare, me kosto zero, ka mbajtur gjithë koston publike qeveria shqiptare. Me shpronësime, leje ndërtimi e të gjitha. Ky ka pasur vetëm detyrën për ta bërë dhe nuk e ka bërë, është i paaftë”, deklaroi Manjani.
Në vijim, moderatorja Grida Duma e pyeti se përse ishte dhënë një kontratë e tillë.
Grida Duma: “Po përse ia kanë dhënë pra?”
Përgjigjja e Manjanit ishte e drejtpërdrejtë:
Ylli Manjani: “Behgjet Pacollit iu dha një shans i madh dhe u tregua një njeri i vogël.”
Në debat u ngrit edhe mundësia e një fature të lartë financiare për Shqipërinë nëse konflikti përfundon në arbitrazh.
Grida Duma: “Kur gjen një shtet që mund të fitojë 700 milionë euro në arbitrazh, le t’i marrë.”
Tomori: Konflikti mes aksionerëve dhe kredia 100 milionë euro
Gazetari Klodian Tomori solli në studio një tjetër këndvështrim mbi historinë e Aeroportit të Vlorës, duke u ndalur te struktura e aksionerëve, financimi dhe përplasja mes ortakëve.
Sipas tij, Behgjet Pacolli kishte marrë një kredi përmes një nënfundi investimesh, ndërsa financimi dhe marrëdhënia mes kompanive të përfshira në projekt kishin krijuar një situatë të ndërlikuar për kontrollin e aeroportit.
Klodian Tomori: “Pacolli mori kredi nga një nënfond investimesh që funksionon si rreth i mbyllur dhe nuk dihet kush ishte mbrapa. Paratë 100 milionë euro u morën nga MABCO dhe ka qenë pjesë e kontratës që VIA do bëhej huamarrës shtesë, pra do aderonte në këtë kredi.”
Tomori shpjegoi se, sipas tij, garancia nuk lidhej me asetet fizike të aeroportit, pasi ato i përkasin shtetit shqiptar, por me të ardhurat që do të gjeneronte aeroporti.
“Nuk viheshin asetet e aeroportit, sepse ato janë të shtetit shqiptar, por do të viheshin flukset e të ardhurave të aeroportit dhe do t’i jepnin atyre kontroll menaxherial”, tha gazetari.
Sipas Tomorit, kjo kredi u bë një nga pikat që ndikuan në përplasjen mes aksionerëve.
“Kjo kredi ishte arsyeja përse Pacollin e nxorën jashtë aeroportit, i ngrinë votat”, deklaroi ai.
Për strukturën e pronësisë dhe pretendimet mbi aksionet, Tomori iu referua gjithashtu vendimeve gjyqësore dhe kontratave të lidhura mes palëve.
“Gjykata e Lartë ka thënë se ky është aksioneri kryesor, kontrata e shitjes së 47% të aksioneve ekziston. Pacolli e kishte marrë këtë kredi pa e ditur ortaku i tij, kjo çështje e nisi që shkoi nëpër gjykata”, u shpreh ai.
Dokumentet publike të lidhura me konfliktin mes aksionerëve tregojnë se ekzistojnë kontrata për transferimin e përqindjeve të aksioneve mes MABCO-s dhe 2A Group, ndërsa për këtë çështje ka pasur edhe masa gjyqësore lidhur me të drejtën e votës dhe transferimin e kuotave.
YDA Group dhe largimi i aksionerit turk
Një tjetër pikë e debatit ishte roli i kompanisë turke YDA Group në projekt.
Konsorciumi fillestar që fitoi koncesionin për Aeroportin e Vlorës përbëhej nga MABCO Constructions SA, YDA Insaat Sanayi Ve Ticaret Anonim Sirketi dhe 2A Group.
Në materialet publike të viteve të para të projektit, YDA Group rezulton si një prej aksionerëve kryesorë të konsorciumit.
Klodian Tomori ngriti pikëpyetje mbi arsyen e përfshirjes së kompanisë turke dhe më pas largimit të saj nga struktura e koncesionarit.
“Gjëja tjetër janë turqit, YDA Group, që kishte 40% të aksioneve. Turku nuk erdhi për të bërë aeroport në Shqipëri, është kompania e njëjtë që bëri spitalin Memorial në Fier”, deklaroi ai.
Më tej, Tomori kundërshtoi mënyrën se si, sipas tij, është paraqitur vlera e transaksionit të aksioneve të YDA.
“Nuk është e vërtetë se aksionet e tyre janë shitur 4 mijë euro kuotat, janë paguar 4 milionë e ca euro në Turqi, aeroporti ishte mekanizëm për të marrë para. Këta u përdorën vetëm për dokumentacion”, tha gazetari.
Të dhënat e publikuara për strukturën e aksionerëve tregojnë se YDA Group kishte qenë pjesë e konsorciumit fillestar dhe më pas u largua nga struktura e koncesionarit. Raportime të mëvonshme e lidhin këtë dalje me transferimin e aksioneve te MABCO.
Tomori: “Daljen e turqve e ka firmosur Belinda Balluku”
Në fund të kësaj pjese të debatit, Klodian Tomori foli edhe për përgjegjësinë e Ministrisë së Infrastrukturës lidhur me ndryshimet në strukturën e aksionerëve.
“Përgjegjësia e Ministrisë së Infrastrukturës ishte se dolën turqit. Daljen e turqve e ka firmosur Belinda Balluku”, deklaroi ai.
Kjo deklaratë u bë në një debat më të gjerë mbi mënyrën se si është administruar projekti, marrëdhëniet mes aksionerëve dhe vendimet institucionale që kanë shoqëruar ecurinë e koncesionit.
Aeroporti i Vlorës është tashmë në qendër të një konflikti shumëplanësh: nga njëra anë janë mosmarrëveshjet mbi pronësinë dhe marrëdhëniet mes aksionerëve, ndërsa nga ana tjetër qëndron përplasja me shtetin shqiptar për ecurinë e koncesionit dhe përfundimin e projektit.
Në gusht, Ministria e Infrastrukturës njoftoi nisjen e procedurave për zgjidhjen e kontratës koncesionare, duke iu referuar mosrespektimit të afateve për përfundimin e punimeve. MABCO e Behgjet Pacollit reagoi duke paralajmëruar se çështja mund të dërgohej në arbitrazh ndërkombëtar.
Pikërisht ky zhvillim e ka bërë edhe më të rëndësishme pyetjen e ngritur në “Top Story”: nëse konflikti përfundon në një proces arbitrazhi dhe Shqipëria detyrohet të paguajë një dëmshpërblim të konsiderueshëm, kush do të mbajë përgjegjësinë për mënyrën se si u hartua, financua dhe administrua ky projekt?
Në emision u përplasën kështu dy këndvështrime: ai që e sheh problemin kryesisht te performanca e koncesionarit dhe mosrealizimi i detyrimeve, dhe ai që ngre pikëpyetje mbi vetë strukturën kontraktuale, financiare dhe institucionale të projektit.
Aeroporti i Vlorës, i prezantuar fillimisht si një projekt strategjik për zhvillimin e turizmit dhe transportit ajror, tashmë përballet me një sërë mosmarrëveshjesh që mund të përcaktojnë jo vetëm fatin e koncesionit, por edhe ekspozimin financiar të shtetit shqiptar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



